Nga: LORENC RABETA*

TIRANE- Ministria e Financave ka propozuar disa ndryshime në ligjin për huamarrjen publike, për të krijuar mundësinë e marrjes së borxhit shtetëror nga ana e saj pa miratimin paraprak të Kuvendit. Propozimi është paraqitur dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, përmes projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”. Ministria argumenton se ndryshimet në ligjin për borxhin publik do të mundësojnë që dikasteri i Financave të mund të veprojë më me shpejtësi dhe elasticitet në tregje, pa pengesa proceduriale, në mënyrë që të garantojë interesa dhe kosto më të ulëta huamarrjeje. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani sqaroi se qeveria po shikon instrumente për të dalë në tregun e jashtëm, për t’iu lënë bankave më shumë likuiditet, me qëllimin e vetëm, rritjen e kreditimin të biznesit vendas. “Ne synojmë gjatë vitit 2015 të shmangim sa më shumë të jetë e mundur huamarrjen e brendshme dhe synojmë daljen drejt tregjeve të huaja, në mënyrë që të lëmë sa më shumë hapësirë për kredimarrje nga biznesi”, – tha në Komision, ministri i Financave, Shkëlqim Cani.
KOSTOT
Sipas ministrit të Financave, drafti i propozuar i lejon shtetit të marrë borxh me kushte më të mira nga privatët në tregun financiar. “Kur dalim në tregun ndërkombëtar, është ideja – ose të paktën kështu ishte interpretuar – që, duhej që doemos këtë hua ta miratonte në detaje Kuvendi. Gjykimi ynë është që nuk është e nevojshme, pushtetet janë të ndara”, – tha Cani. “Nga ana tjetër, – argumentoi ai, -Kuvendi i ka të gjitha mjetet të bëjë vlerësimin apo, më shumë akoma, të vendosë kufijtë, për Ministrinë e Financave dhe për Qeverinë, se çfarë dhe sa do të marrin borxh dhe kriteret se si duhet marrë borxhi.”
LIGJI
Ndërkohë që, sipas kreut të Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, projektligji ngre pikëpyetje juridike. Në nenin 121, Kushtetuta përcakton se marrëveshjet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me marrjen përsipër të detyrimeve financiare të shtetit, miratohen me ligj në Parlament. “Ka një çështje juridike që duhet të shqyrtohet edhe nga Komisioni i Ligjeve. Pikërisht për këtë arsye, Konferenca e Kryetarëve ka angazhuar dhe Komisionin e Çështjeve Ligjore dhe Kushtetuese për ta shqyrtuar në cilësinë e komisioneve, por edhe në vendim këtë projektligj. Kështu që, ne sot mbyllim seancën e parë të prezantimit të projektligjit nga ana juaj, ndërkohë që javën tjetër do të nisim gjithë procedurën tjetër në bazë të rregullores së Kuvendit. Natyrisht, duke pritur edhe vendimin ligjor të Komisionit të Ligjeve”, – tha kryetari i Komisionit, Erjon Braçe.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb