TIRANË

Qeveria shqiptare ka vendosur të shpërblejë me një pagë minimale çdo muaj, përgjatë vitit 2022, për të gjitha naftëtarët dhe ish-naftëtarët e Rafinerisë së Ballshit.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, iu bëri thirrje të gjithë naftëtarëve dhe ish-naftëtarëve, që të paraqesin dokumentet e nevojshme pranë zyrave të punës, në mënyrë që të përfitojnë pagesën mujore.

“Miratuam një vendim shumë të rëndësishëm, që ka të bëjë me mbështetjen sociale për punonjësit dhe ish-punonjësit e Rafinerisë së Ballshit. Do të ketë një pagesë, të barabartë me pagën minimale, përfshirë dhe kontributet shoqërore e shëndetësore, që do u jepet ish-punonjësve të Rafinerisë së Ballshit. Ftoj të gjithë punonjësit dhe ish-punonjësit e kësaj rafinerie që t’i drejtohen zyrave të punës, me qëllim dërgimin e dokumentacionit, për të përfituar këtë ndihmë, që do të jepet në bazë mujore përgjatë vitit 2022”, tha ministrja e Financave pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb