Qeveria ka miratuar kriteret që duhet të plotësojnë fermerët, për të përfituar mbështetje financiare nga buxheti i shtetit 2018 në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave.

Fondi i miratuar në buxhetin e vitit 2018 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për mbështetjen e prodhimit bujqësor, blegtoral, peshkimit, agropërpunimit dhe zhvillimit rural, do të përdoret për: rritjen e konkurueshmërisë së produkteve bujqësore, përmirësimin e zinxhirit të sigurisë ushqimore, nxitjen e formalizimit dhe kooperimit të prodhuesve, mbarështimin e bletarisë, përmirësimin e menaxhimit të peshkimit, nxitjen e kultivimit të sipërfaqes së tokës së papunuar, mbështetjen e diversifikimit të aktiviteteve ekonomike në zonat rurale.

Fondi do të jetë i fokusuar në disa aspekte kyçe si shtimi i pemëve frutore apo serrave. Për investimet më të mëdha, qeveria do të ofrojë edhe një kompensim më të madh, ndërsa mbështetje të veçantë do të marrin edhe fermerët e rinj.

Masat e mbështetjes dhe financimi nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural
Për mbjellje të reja të drufrutorëve, bimëve mjekësore dhe aromatike, fermerët do të financohen me 350 000 (treqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha për pemëtoret intensive dhe në vlerën 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha për pemëtoret me teknologji të përmirësuara. Sipas këtij vendimi, për mbjelljen e kulturave të ndryshme, mbështetja financiare varion në sasi të ndryshme.

Për fermerët me moshë nga 22 deri në 35 vjeç, masa e financimit të rritet me 25%. Aplikuesit, në çdo rast, duhet të ketë tokën në pronësi private ose të marrë me qira nga subjekte të tjera që e kanë tokën në pronësi private.

Gjithashtu, për ndërtimin e serrave diellore, kultivimin e domates, kastravecit dhe specit, me sipërfaqe jo më pak se 0.2 ha dhe jo më shumë se 1 ha, masa e përfitimit do të jetë në 50% të vlerës totale të faturave tatimore të investimit të përfunduar.

Fondet në masën 50% të vlerës së investimit, do të jenë të disponueshme edhe për zhvillimin e teknologjive të kultivimit dhe përmirësimit të kapaciteteve të grumbullimit, ruajtjes, pastrimit, seleksionimit, paketimit dhe përpunimit të prodhimit bujqësor.

Ndërsa mbarështimi i bletarisë do të mbështetet me një vlerë prej 1 mijë lekësh për koshere për fermat me mbi 100 koshere, për një mbështetje jo më të madhe se 150 mijë lekë.

Edhe pronarët e anijeve të peshkimit do të përfitojnë deri në 85 mijë lekë mbështetje për njësi për sistemet e monitorimit për pajisjet Gjithashtu do të ketë një mbështetje deri në 70% të vlerës për instalimin e bankinave lundruese. Një nxitje e veçantë do të shkojë për peshkimin e açugeve dhe sardeleve, deri në masën 20 lekë për kilogramë.

Pjesë e programit të mbështetjes me fonde të Ministrisë së Bujqësisë është edhe promovimi i produkteve vendase dhe nxitja e agroturizmit, në linjë me strategjinë për Zhvillimin Rural.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb