TIRANË- Këshilli i Ministrave miratoi sot një sërë vendimesh të rëndësishme. Kështu, qeveria miratoi programin e veprimit për zbatimin e strategjisë minerare për periudhën 3-vjeçare, 2016-2018. Gjithashtu, qeveria miratoi, në parim, marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë, për mbrojtjen shoqërore dhe protokollit përfundimtar të saj.

Këshilli i Ministrave miratoi në parim edhe marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kazakistanit, për përjashtimin nga kërkesat për vizë për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit.

Qeveria miratoi gjithashtu rregullin teknik “Për kërkesat thelbësore, vlerësimin e konformitetit, klasifikimin dhe markimin “CE” të pajisjeve mjekësore”. Këshilli i Ministrave miratoi, në parim, edhe marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Çeke, për mbrojtjen shoqërore.

Gjithashtu, qeveria vendosi miratimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, për lëvizjen e ndërsjellë të qytetarëve.

Qeveria vendosi sot edhe për kalimin në përgjegjësi administrimi nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë te Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, të mjediseve të ish-godinës së Ministrisë së Mjedisit, për mjedise pune për zhvillimin normal të veprimtarisë administrative të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA).

Këshilli i Ministrave mori vendim edhe për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak të Bashkimit Evropian, me mision trajnues në Republikën e Malit, në Afrikë.

Qeveria vendosi edhe për kalimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Gjirokastër, të truallit funksional, me sipërfaqe të përgjithshme 1 544 (një mijë e pesëqind e dyzet e katër) m2, brenda territorit të pronës nr.593, me emërtim “Shtabi i Brigadës”, me vendndodhje në Grehot, Gjirokastër, për ta përdorur për nevoja urbanistike, për projektin e ndërtimit të rrugës publike “Rikonstruksion i rrugës nacionale dhe ndërtimi i shëtitores Varrezat e Dëshmorëve – Virua”, në Gjirokastër.

Qeveria miratoi, në parim, marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Serbisë, për bashkëpunim në turizëm. Këshilli i Ministrave mori vendim edhe për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: