TIRANË- Qeveria ka vendosur shumën shtesë me 50% të pagesës së anëtarëve të komisioneve të vlerësimit për vettingun. Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj doli sot para mediave ku theksoi se me këtë vendim qeveri tregon angazhimin serioz për këtë reformë dhe se institucionet e reja nuk kanë asnjë pengesë tashmë për të vijuar punën.

“Këshillimi i Ministrave mori një vendim të rëndësishëm për pagesën e shtesë të anëtarëve  të komisioneve të vlerësimit. Shumën shtesë të masës 50% të pagesës së përcaktuar me ligj. Qeveria tregon me këtë vendim angazhimin serioz për këtë reformë. Institucionet e reja janë gati të fillojnë nga procesi që sot. Qeveria është e angazhuar që procesi të nisë sa më parë. Mezi pritet edhe nga qytetarët që të japë rezultatet e para.
Tani mbetet të drejtohet nga vetë organet e vettingut vullneti dhe angazhimi për këtë proces”, tha Gjonaj.

Paga për komisionerët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe për komisioneret publikë është rreth 3 mln lekë, pasi ata marrin pagën e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, ndërsa për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është diçka më shumë, mbi 3.2 mln lekë të vjetra, sepse kjo pagë llogaritet duke iu referuar pagës së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese. Në ligj janë përcaktuar pagat bazë referuese. Mbi këto paga anëtarët e vettingut kanë të drejtë të llogarisin edhe shtesën e vështirësisë në punë. Si dhe 80% të këtyre pagave marrin këshilltarët e tyre.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb