TIRANE – Qeveria ka miratuar në mbledhjen e sotme strukturën dhe mënyrën e organizimit të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 17, të ligjit nr.105/2014, datë 31.7.2014, “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, dhe të ligjit nr.89/2014, datë 17.7.2014, “Për pajisjet mjekësore”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave vendosi ne mbledhjen e sotme që:
1. Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave bëhet Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (këtu e më poshtë e quajtur Agjencia), sipas strukturës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Agjencia është një institucion në varësi të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, e specializuar për analizën dhe kontrollin e barnave, për dhënien e autorizimit për tregtim, për inspektimin e veprimtarive në fushën farmaceutike, për farmako-vigjilencën dhe për administrimin e standardeve të pajisjeve mjekësore.
3. Agjencia ka këto përgjegjësi:
a) Zbaton të gjitha detyrimet ligjore, të përcaktuara në legjislacionin në fuqi, për vendosjen në treg, eksportin, tregtimin dhe përdorimin e barnave, të barnave homeopatike si dhe të pajisjeve mjekësore;
b) Ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e detyrimeve që lidhen me farmako-vigjilencën;
c) Miraton, sipas rregullave të parashikuara në ligj, formatin e publicitetit për barnat;
ç) Bashkëpunon me institucione analoge jashtë vendit për çështje të ndryshme të fushës farmaceutike dhe të pajisjeve mjekësore;
d) Lidh, me autorizimin e ministrit përgjegjës për shëndetësinë, marrëveshje reciprociteti me institucione homologe të vendeve të tjera;
dh) Propozon, pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, ndryshime në aktet ligjore dhe nënligjore, me qëllim plotësimin dhe përmirësimin e legjislacionit përkatës;
e) Harton projektbuxhetin dhe e paraqet atë pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë për miratim;
ë) Kryen procesin e regjistrimit dhe të inspektimit, bazuar në standardet e parashikuara për pajisjet mjekësore;
f) Zhvillon procesin e inspektimit në përputhje me aktet ligjore dhe ato nënligjore.
4. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të Agjencisë rregullohen nga dispozitat e ligjit nr. 7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
5. Mënyra dhe procedurat e punësimit, lëvizjet dhe transferimi i stafit të Agjencisë miratohen nga ministri përgjegjës për shëndetësinë.
6. Agjencia drejtohet nga drejtori i Agjencisë, i cili emërohet dhe lirohet nga ministri përgjegjës për shëndetësinë, sipas kritereve dhe procedurave përkatëse.
7. Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: