Kritika kryesore e raportit të fundit të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet në Shqipëri (ato të majit 2023) plot 40 faqe, përmblidhej në një fjali: “Mazhoranca në Shqipëri përdor burimet shtetërore për interesat elektorale të PS në fuqi”. Pak muaj para zgjedhjeve të reja, qeveria e zotit Rama jo vetëm që nuk nxjerr asnjë mësim nga këto raporte ndërkombëtare që vënë në pikëpyetje ndershmërinë e zgjedhjeve, por për provokim apo për injorancë se si funksionon një demokraci normale ai insiston në përdorimin e burimeve shtetërore për qëllime elektorale të partisë së tij.
Pas mitingjeve partiake që bëri në Athinë dhe Romë, Edi Rama përgatit një tur të ri elektoral të partisë së tij socialiste, kësaj here tek Diaspora shqiptare në SHBA. Që të zhvillojë fushatë biles dhe shumë larg gjeografikisht, kjo është gjëja më legjitime dhe normale për një kryetar partie siç është rasti i Edi Ramës. Por që ta bëjë këtë fushatë për partinë e tij duke u fshehur pas kostumit të kryeministrit që ia paguajnë të gjithë shqiptarët është shokuese në një demokroci normale.
Më shokuese akoma është heshtja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që duhet të ishte në ballë të mbrojtjes së interesave të taksapaguesve dhe t’i çonte një paralajmërim kryeministrit se këto raunde me Diasporën nuk duhet të financohen nga shteti, por nga militantët e PS ashtu si PD financon nga arka e saj mitingjet që organizon. KQZ-ja adoptoi pa kompleks të njëjtën heshtje edhe gjatë zgjedhjeve të kaluara, ato bashkiake, në momente kritike kur Rama me gjysëm kasketë kryeministrore dhe gjysmën tjetër partiake kërcënoi zgjedhësit e Shkodrës se do të kishin zero investime nëse nuk votonin për PS-në e kryeministrit. Ai moment haluçinant i fushatës nuk i shpëtoi biles as komenteve të ashpra në raportin post-zgjedhor të OSBE-ODIHR-it.
Po miqtë ndërkombëtarë, me ata amerikanë në krye pse heshtin?
Për diçka shumë më të vogël që as që mund të konsiderohet si krim zgjedhor që kreu homologu boshnjak i Edi Ramës, ai u shpall “non grata” nga SHBA-të! Krimi i Fadil Novaliç? Kryeministri i Bosnje-Hercegovinës për 8 vjesht rresht (2015-2023) guxoi dhe u çoi “thjeshtë” një letër pensionistëve boshnjakë me logon e qeverisë, para zgjedhjeve, ku ai vinte në pah ndihmën e madhe që qeveria e tij u jepte pensionistëve dhe premtonte rritje pensionesh.
Veçse kjo letër influenconte pensionistët boshnjakë në favor të partisë së kryeministrit ndaj Fadil Novaliç u shpall “non grata” nga Departamenti amerikan i Shtetit. Non grata thjesht për një letër pensionistëve si akt që kërcënonte ndershmërinë e zgjedhjeve! Sa të sertë amerikanët… Po kryeministri shqiptar Edi Rama që jo vetëm çon letra dhe patronazhistë para zgjedhjeve, apo instalon aplikacione të PS-së në telefonat e nëpunësve civilë, por jep, me taksat e shqiptarëve ndihma para zgjedhjeve, rrit rroga dhe pensione para zgjedhjeve duke i manipuluar zgjedhësit sikur këto të mira i kishin nga arka e Rilindjes dhe jo nga xhepat e të gjithë popullit duke përfshirë dhe atë demokrat, përse falet?
Sikur të mos mjaftonin gjithë keto “qoka” që i bëri elektoratit para zgjedhjeve lokale të majit 2023, për këto zgjedhje legjislative të 2025-ës ku do të mund të votojnë për herë të parë mbi 1 milion e gjysëm shqiptare jashtë shtetit, kryeministri partiak, apo Partia – Shtet riniset për gjah votash deri në anën tjetër të globit, për t’u mburrur aty se Diaspora e pati të drejtën e votës falë PS-së në pushtet domethënë për ta influencuar Diasporën që ajo të votojë për partinë e kryeministrit. Mburrjet e partisë – shtet s’do të mjaftojnë pasi ashtu siç e bëri me Diasporën në Athinë apo Romë, Rama do të përfitojë të shfrehet para Diasporës në SHBA me fjalët më ofenduese kundër opozitës se sa të poshtër e të pafrekuentueshëm janë liderët e opozitës. Qartazi, Rama po shkon te Diaspora në Amerikë jo si kryeministër por si shef i mazhorancës për të bërë kryekëput fushatë elektorale. Atëherë përse falet nga KQZ-ja dhe nga ndërkombëtarët? Çfarë vlere kanë pastaj raportet katastrofike të OSBE/ODIHR pas zgjedhjeve në Shqipëri që tregojnë se çfarë nuk funksionoi si kofini pas të vjelave?
Të paktën opozita mos ta falë këtë agresion që i bëhet garës elektorale ku shteti ndërhyn me gjithë forcën e tij. Çfarë ironie. Me taksat që paguhen dhe nga Berisha apo Salianji që mbahen pa mëshirë në izolim, kryeministri bredh me “Air Albania” dhe zbret në hotelet me luksoze për të shfryrë nervat ndaj këtyre të dyve dhe kundra mbarë opozitës në një fushatë të mirëfilltë elektorale për kapjen e votës së Diasporës deri përtej Atlantikut. Dhe shqiptarët, duke përfshirë dhe atë të PD-së, duhet t’i paguajnë me taksat e tyre këto xhiro elektorale, biles ai militanti i PD-së financon me taksën e tij edhe qylymin e kuq që shkel Rama kur zbret nga avioni përpara se të shkojë të vjellë vrer po kundra atij militantit të bazës së PD-së… “O tempora, o mores”.
(BakanWeb)