NGA VJOLLCA KONGJONI

TIRANE- Qeveria shqiptare ka nisur takimet me investitorët e huaj në përpjekje për të gjetur blerësit e mundshëm për Eurobondin. Këtë fillim jave ministri i Financave, Shkëlqim Cani, dhe zëvendësministri Erjon Luci, kanë nisur bisedimet në tregjet europiane, të mbështetur nga “Deutsche Bank” dhe “JPMorgan”.

Pesë vjet pasi vendi emetoi Eurobondin e parë me vlerë të konsiderueshme në treg, Shqipëria ka përzgjedhur këto dy banka të cilat do të kontribuojnë në gjetjen e investitorëve në Europë. “Road show’ me investitorët i nisur më 28 shtator do të vijojë deri ditën e enjte.

Qeveria shqiptare emetoi për herë të parë Eurobondin në Nëntor të vitit 2010, me një vlerë prej 300 milionë euro dhe me një interes 7.5 %. Kohë më parë ministri i Financave është shprehur se riemetimi mund të rrisë këtë vlerë deri në 500 milionë euro.

Emetimi i Eurobondit dhe sigurimi i financimit të jashtëm është bërë me qëllim që të ulet pesha e financimit të brendshëm dhe borxhit të brendshëm. Sipas ekonomistes së Bankës Botërore kjo është kushtëzuar edhe nga zhvillimet në tregun bankar dhe në interesin që ato kishin për huamarrjen e qeverisë gjatë vitit 2015. Por sipas BB suksesi i Eurobondit do të varet nga perceptimi i tregjeve financiare.

“Shqipëria ka patur një vlerësim të mirë nga kompanitë e ratingut të cilat e kushtëzojnë këtë vlerësim jo vetëm me rritjen e të ardhurave por edhe vijimin e një sërë reformash në të cilat janë bërë hapa pozitiv. Nëse do të jetë i suksesshëm apo jo kjo është perceptimi i tregjeve”, tha Hilda Shijaku ekonomiste e BB për Shqipërinë.

Por një pjesë e ekspertëve në vend gjykojnë se vlerësimi i agjencive të kreditimit për ekonominë shqiptare është me ulje, ndaj edhe kjo gjë do të vështirësojë emetimin e Eurobondit.

Megjithatë ministri Cani ka deklaruar se edhe pse afati i maturimit është fillimi i muajit nëntor, qeveria nuk ka ngut dhe nuk është në një presion të madh pasi ka paratë e mjaftueshme për ta shlyer këtë borxh.

Ndonëse ende nuk është vendosur monedha e emetimit në euro apo dollarë, qeveria garanton se edhe nëse merr 500 milionë, do ta zhvendos atë nga borxhi i brendshëm në borxh të jashtëm, duke mos patur probleme me kufirin e borxhit publik. Kjo u pohua edhe nga ekspertja e BB, Hilda Shijaku, e cila deklaroi për “News 24” se Eurobondi nuk do të sjellë rritje të borxhit publik, pasi bëhet fjalë për një zëvendësim të burimeve të financimit dhe jo një rritje e borxhit mbi atë që është planifikuar.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb