Ish-kryeministri Sali Berisha në një takim për projekt-buxhetit 2024 me ekspertë dhe drejtues të Departamenteve të Energjisë, Planifikimit të Territorit, Pyjeve, Peshkimit, Ujërave, Bujqësisë, Infrastrukturës-Transportit dhe Sporteve, është shprehur se sektori i bujqësisë është shpallur armik nga qeveria Rama.
Sipas Berishës, buxheti për sektorin bujqësor dhe Shqipërinë rurale është tallje dhe cinizëm ndaj jetës dhe punës së më shumë se 40% të shqiptarëve.
“Të lexosh buxhetin për bujqësinë dhe Shqipërinë rurale, shumë nga ju keni fatin e mirë të mos e keni lexuar, por ata që e lexonin, që kujtojnë planet 5 vjeçare të regjimit diktatorial mendojnë se janë duke lexuar një dokument të atij karakteri.
Një dokument që natyrisht në diktaturë kishte domethënien e vet, kurse sot ai është një përqeshje, tallje, cinizëm ndaj jetës, punës, të mbi 40% të shqiptarëve.
Ky sektor i cili ka specialistë të mrekullueshëm, të përkushtuar, të aftë, që e njohin mirë atë, kanë vendosur në krye një person, e cila flet sikur vjen nga Marsi.
Flet sikur nuk ka asnjë lidhje me atë sektor apo me këtë vend, shpall shifra dhe përqindje që turpërojnë çdo njeri dhe në fakt me të gjitha mbulon një mashtrim të madh, ndaj këtij sektori jashtëzakonisht të rëndësishëm.
Nëse ka një sektor të cilin kjo qeveri e ka shpallur prej vitesh armik, është sektori i bujqësisë dhe Shqipëria rurale.
Po të studioni sistemin fiskal, nuk e gjen mbi tokë një sistem të tillë ndëshkues për prodhuesin siç është sistemi aktual.
Por po të dëgjosh ministren e re që thotë, se Shqipëria është me 6 mln lopë, tani e kuptoni vetë ju se ca lidhje ka kjo me fshatin dhe Shqipërinë.
Ky pohim i saj është skandaloz dhe lexohet në çdo paragraf të buxhetit që kanë paraqitur për fermerët. Në të gjithë statistikën e përqindjeve në tërësi nuk ndalet në vitin 2024, por flitet për vitin 2025-2026, mbasi gjithçka është falsitet dhe duhet të rreshtojnë përqindje, shifra se si e ti të mbulojnë injorimin e plotë të këtij sektori të një rëndësie shumë të madhe, për jetën e 40% të popullatës, por edhe për ekonominë e vendit në tërësi.
I gjithë qëndrimi i qeverisë aktuale ndaj këtij sektori përbën një piramidë të vërtetë mashtrimesh dhe falsifikimesh dhe në fund reduktohet në një shifër dhjetëra milionë euro, e cila në shumicë përfundon në xhepat e qeveritarëve hajdutë”, tha Berisha.
Ish-kryeministri u ndal dhe te Infrastrukura, ku tha se qeveria kryen vjedhje të madhe përmes ndërimit të rrugëve.
“Nuk ekziston një sektor tjetër në botë ku vidhen taksapaguesit si në rrugët e Shqipërisë. Është e faktuar se çmimi i rrugëve në Shqipëri është 10 herë më i madh nga ç’del në manualet e ndërtimit të tyre.
Edi Rama ka sjellë në infrastrukturë një metodë që e përdorte gjatë viteve si kryetar bashkie për të vjelë gjoba. Ndërtuesi që ndërtonte pallatin ta zëmë me 4 hyrje, merrte leje vetëm për dy hyre. Për dy hyrjet tjera do merrte leje tjetër. Ndodh ndarja në lote. Çmimi i ndërtimit të Unazës në Tiranë shkon 50% më shumë se ndërtimi i tunelit të Kalimashit. Rruga e Arbrit shkon në 11 milionë ndërkohë që një autostradë 27 metra e gjerë në Kroaci ndërtohet me 2.8 milionë euro. Rruga Kardhiq- Delvinë përfundon pjesa e pambaruar nga 70 milionë euro shkon në 240 milionë euro. Ruga që përfundon ndonjëherë, Qukës-Qafë Plloc, a mund ta mendoni ju se rrugës i ndërrohen projektet që mos të përputhen, që të zgjatet. Sa më shumë të zgjatën, aq më shumë vidhen”, u shpreh ai.