Qeveria shqiptare ka lidhur një kontratë qiraje me një OJF të quajtur “Qendra URA” dhe i ka kaluar kësaj të fundit në administrim veprën e famshme të BunkArt, ish-bunkerin për mbrojtje atomike që në vitin 2014 u shndërrua në një muze turistik.
Siç sugjerojnë të dhënat e vetë OJF-së “Qendra URA”, kjo OJF drejtohet nga zonjat A.Peçi kërkuese historike dhe I.G. financiere.
Zonja Peçi është redaktore në median Report-Shqiptarja.com të biznesmenit italian Carlo Bollino, ndërsa I.G. ka qenë përfaqësuese ligjore e televizionit të Bollinos.
HashtagAL kontaktoi Ministrinë e Kulturës për të marrë më tepër të dhëna lidhur me kontratën në fjalë, por nga kjo ministri na u tha se nuk kishte asnjë lidhje me kontratën.
Më pas kontaktuam Ministrinë e Mbrojtjes, këta të fundit kërkuan kohë për t’u interesuar në lidhje me detajet e kontratës pa specifikuar nëse kontrata ishte lidhur ose jo me këtë ministri.
Më pas HashtagAL kontaktoi me OJF-në “Qendra URA”, duke kërkuar specifikime mbi këtë kontratë për administrimin si biznes të BunkArt, OJF-ja premtoi një përgjigje pa lënë afate.
Historia e BunkArt nis në vitin 2014 kur një projekt i përbashkët 3-mujor i Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Mbrojtjes akordoi 100 mijë dollarë për shndërrimin në muze turistik të ish-bunkerit atomik.
Kompania që realizoi asokohe punimet ishte ‘Spazio Eventi Albania’, kjo kompani ishte e lidhur me biznesmenin italian Bollino.
Nga janari 2015 deri në Marsin e vitit 2016, BunkArt-i u administrua nga Ministria e Mbrojtjes. Por në muajin Mars 2016, administrimi i ka kaluar OJF-së së kontrolluar nga Bollino, ‘Qendra URA’.
Madje të dhënat sugjerojnë se Bollino në muajt Janar-Shkurt 2016 ka acaruar marrëdhëniet me qeverinë Rama.
Gazeta e tij Shqiptarja.com nisi një seri artikujsh ofensivë sidomos për ndërtimin tek Liqeni të një pallati që dyshohet si i biznesmenit Samir Mane, Bollino nisi të thumbonte edhe kryebashkiakun Veliaj për çështjen e taksave të bizneseve.
Në muajin Mars, sulmet e Bollinos janë ndalur si me komandë, madje vetë Bollino në këtë kohë bëri një editorial ku e quante protestestën tek Parku i Liqenit si një protestë hipokrite.
Duket se z.Bollino ka të tjera ide se si duhet të jetë shoqëria civile, përshembull OJF-ja e kontrolluar prej njerëzve të tij, ‘Qendra Ura’, ka marrë së fundmi biznesin turistik të BunkArt, por
rezulton se kjo OJF ka fituar dhe dy projekte të tjera në AMSHC me fondet e qeverisë.
Kalimi i BunkArt në administrim privat ka qenë një operacion i kryer në mungesë të plotë transparence dhe i pashpallur nga autoritetet publike, siç ligji e kërkon. Nuk ofrohet asnjë e dhënë nëse ka pasur garë për këtë kontratë.
Në muajin Mars, në faqen zyrtare të BunkArt në Facebook, pas një viti mungese aktiviteti, nisën postimet e para.
Bëhej thirrje për të rekrutuar vajza të reja që do të shërbenin për administrimin e BunkArt si dhe u paraqitën çmimet e vizitave për turistët, ku biletat variojnë nga 150 lekë deri në 500 lekë.
Duket se BunkArt, nga një simbol i shndërrimit të bunkerit atomik në qendër turistike, po kthehet në simbol të shndërrimit të një projekti kombëtar në marifet për të kapur median dhe për të favorizuar botuesit mediatikë si z.Bollino. (HashtagAL)
(BalkanWeb)