Nga: OERD BYLYKBASHI *
Të nderuar, por të shumë vuajtur ish-pronarë!
Është trishtuese që në 2015, gati 25 vjet pasi ju rilindi shpresa që do të rimerrnin pronat e grabitura me grykën e pushkës nga shteti komunist, ende ju quajnë ish-pronarë.
Kjo “ish” tingëllon si një tallje e madhe për ata që duhet të ishin pronarë sot, të gëzonit atë që baballarët apo gjyshërit tuaj i vunë me gjak e djersë, por që ua morën shpesh bashkë me jetën apo lirinë.
Në 13 vite qeverisje, PD bëri shumë, por përsëri jo mjaftueshëm. Miratuam ligjin për kthimin e pronave dhe kthyem mijëra prona e mijëra të tjera u kompensuan. Por sot mbeten ende mijëra kërkesa të pashqyrtuara.
Jo rrallë u bënë gabime. Por mijëra morën atë që u takonte, ose një pjesë. Pati mashtrime apo falsifikime, shumë u kapën të tjera jo. Duhet të kishim qenë më të shpejtë, por është gjithashtu një proces kompleks. Mbi të gjitha, qeverisja jonë nuk pushoi së kthyeri prona.
Në kohën e qeverisjes së PD, AKKP merrte deri në 1500 vendime në vit. Kthente prona, jepte vendime kompensimi. Qindra vendime për kthim të oborreve në përdorim. Por çuditërisht, sapo ktheheni ju në pushtet, kthimi i pronave ndalet.
Ka gati 2 vjet, që kur keni ardhur në pushtet, që me urdhër politik të kryeministrit keni bllokuar procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave.
Është pikërisht kështu, të nderuar ish-pronarë. Kanë bllokuar plotësisht çdo proces shqyrtimi, kthimi apo kompensimi. Në këto dy vjet nuk kanë marrë asnjë vendim, janë tallur me ju, ju kanë lënë të prisni pas dyerve të AKKP. Ju vonojnë kur kërkoni dokumente apo kur regjistroni kërkesa.
Sa e sa prej jush kanë marrë përgjigje me postë se kërkesa juaj për kompensim financiar refuzohet se nuk paske një dokument x, thjesht një justifikim për të mos ju dhënë paratë që ju takojnë.
Ndërkohë, fondi i kompensimit për vitin 2014 u dogj, nuk u shpërnda fare, asnjë lek kompensim nuk iu dha ish-pronarëve. Asnjë lek nga fondi i legalizimeve nuk u është dhënë ish-pronarëve, sepse qeveria i përdori për palma nëpër autostrada e rrugë dhe për pllakat e shesheve që ka në projekt kryeministri.
Është hera e dytë që ju të qeverisë kërkoni shtyrje afati. Herën e parë se gjoja do bënit strategji apo plan veprimi, se jua kërkonte Strasburgu. Tashmë dihet që ata nuk ju toleruan, ju hodhën mbrapsht propozimet tuaja për gjoja zgjidhje. Çështjet në Strasburg po shtohen për vonesë në vendimmarrje, ndërsa keni bllokuar pagimin e vendimeve të Strasburgut duke e rënduar faturën me penalitete, që do t’i paguajnë me taksa edhe ata që nuk kanë prona për të marrë.
Kjo është e paligjshme. Dhe personat përgjegjës në AKKP do të mbajnë përgjegjësi edhe penale për këtë. Ç’bëhet me dosjet që i gjetët në shqyrtim? Ka afat për marrje vendimi, por ju as që doni t’ia dini. Por pa ndëshkim kjo nuk do kalojë. Ka kohë derisa të parashkruhet ndjekja penale për këtë shpërdorim detyre. Sepse dëmi është gjithnjë e më i madh dhe faturat e Gjykatës së Strasburgut po bëhen gjithnjë e më të hidhura.
Ju as që doni t’ia dini që po shkelni të drejtat e ish-pronarëve. Fundja 70 vjet më parë edhe i vratë e burgosët kur ua morët pronat, sot vetëm po i lini të presin pas dere.
Mashtroni ish-pronarët me lista pa fund dosjesh të mbyllura me vendim apo që presin vendime, duke i publikuar në gazeta, a thua se po bëni ndonjë gjë të madhe. Krenohet qeveria se paska dixhitalizuar dosjet dhe vendimet. Thjesht po dixhitalizoni dosjet, projekt që e kemi nisur ne në 2011 dhe ju vetëm po e vazhdoni. Të vetmit që po përfitojnë nga kjo janë gazetat që shesin më shumë, sepse ish-pronarët vrapojnë të blejnë gazetën e radhës. Tani vlen ta ndryshojmë me ligj emrin e agjencisë në Agjencia për Skanimin e Dosjeve të Pronave. Po skanimi nuk ua kthen pronën ish-pronarëve.
Nuk besoj se i keni bllokuar kthimet dhe kompensimet e pronave se jeni të paaftë. Edhe sikur të ishte e vërtetë, në dy vjet do kishit mësuar si bëhet. Prisni që hallexhinjtë t’ju ofrojnë 20 apo 30%? Hallexhinjtë ankohen se vetëm për marrje dokumenti konfirmimi nga AKKP, çmimi ka arritur 1000 euro.
Ka mijëra dosje që presin një vendim. Janë mijëra pronarë që presin një përgjigje. Por ju po studioni si hiena cilat janë ato prona që do të mund të zhvatni. Po studioni dosjet në bregdet dhe kudo ku mendoni se nesër ato prona vlejnë thesare. Këtë bëtë në periudhën 1998–2005, këtë po bëni edhe tani. Keni lëshuar sekserët të kontaktojnë ish-pronarët, u bëni presion, përndryshe dosja e tyre shkon te rafti i fundit i arkivës.
Po u ulni vlerën pronave, duke ulur vlerën e hartës së vlerës. Këtë e bëni që të paguani sa më pak. Ku është siguria juridike, pritshmëria ligjore e ish-pronarëve që prisnin të kompensoheshin me vlerë më të lartë dhe tani u është ulur vlera? Kjo është garanci kushtetuese.
Rast flagrant i shkeljes së të drejtës së pronësisë është shpronësimi që po u bëni pronarëve të zonës së Spitallës në Durrës. Ia keni vënë syrin saj zone, keni përzgjedhur edhe kush do ta bëjë zonën e lirë ekonomike. Ato toka janë brenda vijës së verdhë të qytetit të Durrësit, prandaj kanë statusin e truallit. Qeveria “Berisha” u kishte dhënë statusin e truallit për zhvillim industrial. Ju sapo e hoqët këtë status, nga truall e kthyet në tokë bujqësore, edhe pse aty kurrë nuk ka mbirë bar sepse ka qenë kënetë e kripur.
Nga 20-40 euro/m2 që janë shitur e blerë ato toka, ju do i shpronësoni me 170 lekë. Kjo është turp, është qesharake, por në fakt, është vjedhje e pronës. Dhe qyqarët pronarë, tokave të të cilëve ju i vutë syrin, nga pronarë do bëhen ish-pronarë.
Kur ju trajtoni kështu pronarët, ç’mund të presin ish-pronarët prej jush?! Vetëm tallje, zhvatje dhe korrupsion u ofroni ju atyre.
Të nderuar dhe të shumëvuajtur ish-pronarë, të gjithë juve që ju rrezikohet prona, të gjithë ju që ju janë shkelur të drejtat në këto 2 vjet qeverisjeje të ‘Rilindjes’, më 21 qershor kthejani shpullat mbrapsht këtyre mashtruesve grabitqarë që e quajnë veten qeveri.
Mos prisni, se përndryshe do ju mbijë bari me “ish”-përpara.
*Fjala në Kuvend e deputetit të PD-së

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: