NGA: ARTAN FUGA
Kjo duhet kthyer në një parim kushtetues.
Zgjedhjet i organizon një qeveri teknike me përbërje partish, ekspertësh, qytetarësh.
Gazetari Norel Zaimi, ish studenti im, sot miku im, më rikujton dhe rikujton publikisht se një vit më parë kam mbajtur një fjalë për qytetarin e nëpërkëmbur.

Nuk i heq asnjë presje sot.
Por përse e rinxjerr në status?
Sepse duke mbështetur kërkesën për qeveri teknike për zgjedhje të lira, i qendroj fort, fort, fort idesë se kjo nuk më intereson në marrëdhëniet e mia me ndonjë parti politike,as me njerën parti politike, por për qytetarin.
Madje sipas meje është njësoj e favorshme për partinë socialiste, për LSI, për partinë demokratike, për Libra, për të gjitha partitë brenda dhe jashtë parlamentit.
O qytetarë vetëm ajo na ndihmon për të rinovuar elitat politike sipas vullnetit tonë.
Ata që këtë vullnet timin, që e zhvilloj prej dekadash e kuptojnë sikur unë jam për t’ja dhënë apo ridhënë dikujt pushtetin në tavolinë, janë të mjerë dhe e kanë për pretekst të ankohen për cdo gjë dhe kur vjen momenti nuk bëjnë asgjë.
Mua më vjen turp për ta!

Të gjithë ata që gjithë ditën ankohen nëpër tavolina kafenesh për cilësinë e deputetëve, për inkriminimin e tyre, dhe kur u jepet mundësia për zgjedhje të lira fshehin kokat poshtë fustaneve, në djall vafshin! Mos ankohen më për asgjë se nuk janë as burra dhe as gra që meritojnë këtë emër. Janë thjesht papagaj dhe lolo! Të gjithë ata që ankohen për dritat, ujin, pisllikun, urbanizmin e molepsur, për korrupsionin dhe që i marrin nëpër këmbë; dhe kur vjen puna për të siguruar zgjedhje të lira bëjnë sikur nuk duan të ndyejnë duart duke mbështetur ata që rrinë e sakrifikojnë në bulevard, ta dinë se i meritojnë të gjitha ato që pësojnë.

Ata kryetarë partish që ankohen se votat e tyre nuk numërohen dhe janë përjashtuar realisht nga gara e ndershme elektorale, dhe aktualisht që u jepet rasti nuk lëvizin as gishtin por fshihen pas alibive pa kuptim dhe pa argument, mos ankohen më këtej e tutje dhe le të rrinë si dekor demokratik i një shoqërie të robëruar politikisht! E theksoj edhe njëherë se një qeveri teknike për zgjedhje të lira i intereson qytetarit, kombit, vetë partive politike, edhe qeverisë madje, edhe partisë socialiste, por nuk u intereson vetëm disa individëve që të ndragur deri në fyt duan të rimarrin pushtet kundër vullnetit popullor. Unë sa për veten time nuk jam me asnjë parti, e morrët vesh ju o mashtruesa, jam me qytetarin, por përse jam me qytetarin, mbështes njerëzit në shesh që duan zgjedhje të lira.
Dhe nëse sot këtë ide e bart Lulzim Basha, e mbështes sot edhe atë, nesër ta shohim, nëse nesër e mbështet këtë ide edhe dikush tjetër, e përkrah edhe atë.

Zgjedhje të lira!
Pastaj se për kë votoj unë e di vetë, se për kë votoni ju, e dini vetë!
Votoni ndaç për qeverinë, ndaç për opozitën, ndaç edhe për të tjerë që nuk janë as në opozitë, edhe as në qeveri!

Por gjoja zgjedhje kur gjoja vota jonë nuk dihet se ku shkon dhe kush e merr nuk durohen!
Jo vetëm qeveri teknike por edhe ndryshim rrënjësor të kodit elektoral, ku kandidatët e pavarur, partitë e mëdha, të vogla, brenda dhe jashtë parlamentit të kenë shanse të njejta.
Lulzim Basha duhet që kërkesën për qeveri teknike ta plotësojë me kërkesën për ndryshimin rrënjësor të ligjit elektoral! Për të siguruar zgjedhje të lira, të barabarta, të drejtpërdrejta, të drejta, sepse deritani nuk janë të tilla, janë mashtrime me ne qytetarët.
Kjo do të ishte vërtet sinqeritet në se dëshiron të mos mendojë për pushtetin, por për demokracinë dhe qytetarin!
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: