Zv/presidentja e PL, Erisa Xhixho akuzon qeverinë se ka shkurtuar buxhetin për tre sektorët më të rëndësishëm në vend. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ligjvënësja shprehet se ulje të fondeve ka për bujqësinë, arsimin dhe shëndetësinë.

Nga ana tjetër, shton deputetja e PL, qeveria ka rritur fondet për tenderat e koncesionet.

“Është e qartë se ku shkojnë paratë që u hiqen tre sektorëve më jetikë: në gropat thithëse të korrupsionit të kësaj qeverie. Rriten fondet për tendera e koncesione, sepse përmes tyre vidhen më lehtë paratë e taksapaguesve shqiptarë”, thekson ajo.

Reagimi

Qeveria e inceneratorëve ka vendosur të shkurtojë fondet buxhetore për tre sektorët më të rëndësishëm. Me vendimin e fundit, qeveria i heq:

📌 700 milionë lekë arsimit
📌 2.5 miliardë lekë shëndetësisë
📌 800 milionë lekë bujqësisë

Shkurtimi i fondeve të arsimit, në një kohë kur shkollat dhe degët universitare po mbyllen me një ritëm dramatik, analfabetizmi funksional rritet nga dita në ditë dhe rezultatet në testet PISA vijnë vetëm duke u përkeqësuar, është prova më e qartë se për këtë qeveri, arsimi nuk ka qenë e nuk do të jetë prioritet ndonjëherë.

Premtimi për shëndetësinë falas ka qenë mashtrim i kësaj qeverie që në krye të herës. Me shkurtimin e fondeve, ky mashtrim thellohet. Kjo është garanci se pacientëve do t’u mungojnë ilaçet, shërbimi në spitale do të vijojë të jetë jocilësor dhe skandalet si ai i Onkologjikut do të cënojnë jetën e qytetarëve.

Pasi i privoi fermerët nga fondet IPARD për shkak të korrupsionit, qeveria i shkurton fondet edhe bujqësisë, sektori që kontribuon me rreth 20% në GDP-në e vendit. Buxheti i gjymtuar i vitit të ardhshmë nuk jep shpresë për mijëra fermerë që falimentojnë çdo vit dhe detyrohen të lënë Shqipërinë.

Është e qartë se ku shkojnë paratë që u hiqen tre sektorëve më jetikë: në gropat thithëse të korrupsionit të kësaj qeverie. Rriten fondet për tendera e koncesione, sepse përmes tyre vidhen më lehtë paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Partia e Lirisë në programin e saj “5 prioritete për 4 milionë shqiptarë” ka në fokus ndaljen e shpopullimit dhe shndërrimin e Shqipërisë në fuqi eksportuese, sepse beson se vetëm duke i krijuar Shqipërisë mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social, do ta bëjë atë vendin e mundësive për të gjithë dhe jo vetëm për disa.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb