TIRANË – Këshilli i Ministrave ka marrë sot vendim për përcaktimin e marzheve të tregtimit dhe fabrikimit të barnave. Në këtë vendim thuhet se “çmimi maksimal i prodhimit të barnave nga fabrikuesit vendas caktohet duke shtuar 20% mbi koston e fabrikimit.

Së dyti, çmimi maksimal i tregtimit me shumicë të barnave nga importuesit dhe shpërndarësit farmaceutikë caktohet duke shtuar 11 (njëmbëdhjetë) për qind mbi çmimin CIF të importit të barit dhe të EXË të prodhimit vendas, e konvertuar në lekë sipas kursit mesatar të njoftuar nga Banka e Shqipërisë, për çdo 6-mujor. Marzhi 11% ndahet ndërmjet importuesit dhe shpërndarësit, përkatësisht, 8% dhe 3 %.

Së treti, çmimi maksimal i tregtimit me pakicë të barnave caktohet duke shtuar 25% mbi çmimin e blerjes nga shpërndarësi farmaceutik.

Së katërti, për barnat e listës, që rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, zbatohen marzhe të diferencuara, të cilat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Për barnat që blihen nga institucionet shëndetësore publike, çmimi maksimal i tregtimit dhe marzhi i fitimit, që do të zbatohen mbi çmimin CIF ose EXË, do të jetë sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Për barnat që nuk janë përfshirë në listën bashkëlidhur do të zbatohet një marzh fitimi 8 %.”

Në përfundim thuhet se “Vendimi nr.53, datë 5.2.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin marzheve të fabrikimit dhe të tregtimit të barnave”, shfuqizohet dhe ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: