TIRANË- Këshilli i Ministrave miratoi sot një sërë vendimesh të rëndësishme. Qeveria vendosi shembjen e ndërtesave ekonomike dhe administrative në shoqërinë OST, sh.a., Ndërmarrjen e Prodhimit të Çeliqeve, Uzinën 12 & NI-CO, Uzinën e Plehrave Azotike, ndërmarrje në likuidim, dhe Kombinatin Energjetik, sh.a., në likuidim.

Po kështu, qeveria miratoi Dokumentin Politik për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, 2016-2020, dhe planit të veprimit të zbatimit të tij.

Qeveria vendosi kalimin në pronësi, nga Shërbimi Informativ i Shtetit te Bashkia Librazhd, të pronës me numër pasurie 7/19, të ndodhur në zonën kadastrale 2446 Librazhd, me sipërfaqe trualli 1552 (një mijë e pesëqind e pesëdhjetë e dy) m2 dhe ndërtesë 371 (treqind e shtatëdhjetë e një) m2, për ta përdorur për sistemimin me ambiente pune të administratës së Bashkisë Librazhd.

Qeveria vendosi edhe revokimin e vendimit nr.81, datë 27.1.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonës ekonomike në Lezhë dhe përcaktimin e autoritetit kontraktues, për dhënien e statusit të zhvilluesit të kësaj zone”.

Qeveria vendosi edhe miratimin e rregullave të komunikimit, konsultimit dypalësh dhe vendimmarrjes lidhur me lejen e mjedisit të tipit A, për funksionimin e instalimit të vendosur në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që ka mundësi reale të krijojë efekte negative të konsiderueshme në mjedisin e një shteti tjetër, ose menjëherë pasi i kërkohet nga ky shtet, sipas tekstit bashkëngjitur këtij projektvendimi. Qeveria miratoi gjithashtu rregulloren “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: