TIRANE – Qeveria zhbllokon lejet e ndërtimit, duke u hapur rrugë aplikimeve për të gjitha ato familje që janë të interesuara të ndërtojnë një shtëpi apo një biznes në tokën e tyre. Vendimi i marrë në fund të vitit që lamë pas nga Këshilli Kombëtar i Territorit, lejon rihapjen e këtij procesi, i cili që nga muaji gusht i vitit të kaluar ishte i pezulluar me argumentin e masakrës mjedisore të shkaktuar nga dhënia pa kriter e lejeve.
Gazeta “Panorama” shkruan sot se Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar hartat dhe ka vendosur kufijtë, që do të shërbejnë si kriter parësor për aprovimin apo jo të lejes, në përputhje kjo edhe me ndarjen e re territoriale.
Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni theksoi se të gjithë ata qytetarë që duan të pajisen me leje ndërtimi, mund të aplikojnë pranë komunave apo bashkive ku edhe jetojnë.
“Në zonat e urbanizuara që janë miratuar nga KKT, do të lejohet dhënia e lejeve të ndërtimit edhe për banesat individuale, krahas ndërtimeve që lejoheshin deri tani, që janë ato për objekte publike, për infrastrukturë, për ndërhyrje me karakter emergjent, si dhe për struktura në funksion të zhvillimit ekonomik, turizmit, të bujqësisë dhe blegtorisë. Ky vendim lehtëson trajtimin e nevojave të qytetarëve për banesat individuale një familjare”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: