TIRANË

Kryeministri Edi Rama e ka ruajtur një mesazh për opozitën pas fjalës së tij për pensionistët. Ai ironizoi me propozimet dhe premtimet e opozitës për pensionet duke u cilësuar “përrallat e Sudes dhe Rrapushit” që për të janë kthim te piramidat dhe agonia antishtet.

“Të gjithë ata që kanë dalë në pension gjatë kësaj dekade përfitojnë pensione më të larta në bazë të kontributeve të derdhura gjatë viteve të punës dhe jo sipas vulës së rrumpallës antishtet të dekadave pararendëse kur qindra mijëra të tjerë pensionistë e pësuan në kurriz fatkeqësinë kombëtare të një qeverisje rrapa-zhgaba dhe i paguajnë sot e gjithë ditën asaj rrumpalle një kosto krejt të pamerituar.
Po kur na thonë Sudet dhe Rrapushët e asaj kohe, ju erdhi jehona edhe këtu sot, thonë ç’është ky pension social kaq i ulët? Pikërisht këta varrmihësit antishtet të pensioneve, ngrenë gishtin e akuzës ndaj nesh për nivelin e pensionit social, këta që në fakt i kishin përjashtuar për çdo e drejtë për pension të gjithë kategorinë e njerëzve që marrin pension social…”, tha Rama.

Sipas tij, “një skemë e falimentuar pensionesh që trashëguam është një plagë shërimi i saj është i gjatë sa koha e gangrenizimit të saj”.

“Rritëm me 300 mijë persona fondin kontribues, i cili është zgjeruar 3 fish sot nga 400 e ca milionë euro, janë të shkruara në gbuxhetet e mëparshme në 1.2 mld euro sot. Por sot ne kemi ende rezerva domethënëse si rezultat i rritjes domethënëse të pagave. edhe në sektorin privat jemi përqendruar për të rritur të ardhurat kontributeve falë edhe modernizimit të mëtejshëm të sistemit të gjurmimit digjital të aktivitetit të biznesit dhe një modeli të ri të inteligjencës artificiale që po testohet dhe do të futet shumë shpejt 24 orë në punë së bashku me microsoft”, tha kryeministri.

Rama theksoi se më tej se rritja e pensioneve mandatin e 4 do të jetë pasqyra më kuptimplotë e transformimit të boshtit të ekonomisë në këto vite të qeverisjes tonë.

“Çdo kush që rreket t’i tundojë sot pensionistët me përrallat e Sudes dhe Rrapushit për t’i ngjitur pensionet në majën e dëshiruar me shpejtësinë e qilimit fluturues pavarësisht se e ka fytyrën komplet të zezë nga bloza e diskreditimit publik apo e ka të bardhë ngaqë s’ka shkelur një ditë akoma në kantierin e shtet ndërtimit, është vetëm një prurës fatkeqësie për rikthimin e këtij vendi pas në rrugën e piramidave dhe të agonisë pa shtet. Deri këtu ne kemi bërë për pensionistët jo gjithçka kemi dashur, por gjithçka kemi mundur. Tani që ekonomia po na jep mundësi të reja do të bëjmë çka askush jo vetëm nuk e bën dot, por as e ka haberin se si bëhet. Buxheti i ri është manifestimi më kuptimplotë i këtij dallimi”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: