Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, u ka drejtuar një lutje tjetër partnerëve perëndimorë për të rritur ndihmën e tyre, pasi Rusia nisi atë që ai e përshkroi si “një nga sulmet më të mëdha – një sulm i kombinuar, që përfshin mbi njëqind raketa të llojeve të ndryshme dhe rreth njëqind “Shaheds.”

“Në gjithë Ukrainën, ne mund të bëjmë shumë më tepër për të mbrojtur jetët nëse aviacioni i aleatëve tanë evropianë do të operonte në bashkëpunim me F-16 dhe sistemet tona të mbrojtjes ajrore. Nëse një unitet i tillë ka rezultuar efektiv në Lindjen e Mesme, ai duhet të funksionojë edhe në Evropë”, theksoi lideri ukrainas.

“Ukraina nuk mund të kufizohet në aftësitë e saj për të përdorur raketa me rreze të gjatë kur terroristët nuk përballen me kufizime të tilla”, tha ai, duke shtuar “Amerika, Britania, Franca dhe partnerët tanë të tjerë kanë fuqinë të na ndihmojnë të ndalojmë këtë terror. Koha për veprim vendimtar është tani”, shprehet Zelensky.

Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës tha se sulmi rus të hënën kishte shënjestruar një hidrocentral në rajonin e Kievit. “Sulmi i sotëm rus synoi infrastrukturën civile të Ukrainës, duke përfshirë HEC-in e Kievit”, shkruan Andriy Sybiha në X.

Ai bëri thirrje për veprim global dhe tha se sulmi përbën një krim lufte.

Në anë tjetër, Rusia thotë se goditi armët dhe municionet perëndimore në dy fusha ajrore të Ukrainës, si dhe stacionet e kompresorëve të gazit dhe nënstacionet e energjisë elektrike.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se objektet energjetike që kishte shënjestruar me dronë dhe raketa po i siguronin energji kompleksit industrial ushtarak të Ukrainës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: