NGA ZONJA KATERINA
Përbërësit

400 gr qiqra, 2 qepë të thata, 2 karrota, 2 degë selino, 2-3 thelpinj hudhër, 4-5 lgj vaj ulliri, 1 spec gogozhare, 2 gjethe dafine
1 qepë të njomë, 1 degë rozmarinë, Kripë, piper, rigon, 1 litër ujë, Cipa dhe lëngu i 1 limoni

Përgatitja

Vendosim qiqrat e lara në një enë me ujë të bollshëm për 5-6 orë. Më pas derdhim ujin dhe i shpëlajmë mirë qiqrat.

I vendosim qiqrat në një tavë dheu duke shtuar 1 litër ujë të ngrohtë dhe 2 gjethe dafine. I lemë qiqrat të ziejnë në furrë në temperaturën 140-150 gradë Celsius për 2 orë e gjysëm.

Ndërkohë përgatisim salcën duke kaurdisur fillimisht me gjysmën e sasisë së vajit qepën e thatë. Më pas shtojmë karrotat, selinonë dhe hudhrat. I rregullojmë me kripë dhe piper dhe vazhdojmë kaurdisjen për 2-3 minuta. Më pas shtojmë 1 lugë salcë dhe vazhdojmë kaurdisjen dhe për pak minuta.

Nxjerrim qiqrat nga furra (pas 1 ore nga momenti që i vendosim në furrë), u hedhim kripë, i trazojmë mirë dhe i rivendosim në furrë dhe për 1 orë e gjysëm.

Pasi qiqrat të kenë zjerë plotësisht i largojmë nga furra. Tek salca që përgatitëm me perime shtojmë lëng nga qiqrat e zjera dhe e lemë salcën të marrë valë për 3-4 minuta. Më pas shtojmë qiqrat, specin gogozhare të prerë në shirita të vegjël, pak vaj ulliri, pak qepë të njomë të grirë hollë, cipë dhe lëng limoni. Rozmarinën e vendosim në dërrasën e punës së bashku me rigonin dhe pak kripë dhe e grijmë hollë. Më pas e shtojmë tek gatimi me qiqra, të cilin e servirim të ngrohtë duke i grirë hollë pak bishta qepësh të njoma.

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb