Nga: ZONJA KATERINA

500 gr lakër të bardhë
300 gr mish të grirë
2-3 lgj oriz
1 kokërr qepë
1 karrotë
2 të bardha veze
Kripë, piper, koper
Majdanoz, nenexhik
1.5 litër lëng mishi / perimesh
3-4 lgj vaj ulliri
2 të verdha veze
1 lgj niseshte
1 kokërr limon

Grijmë hollë në rende lakrën e bardhë, e përvëlojmë më pas me ujë të vluar ose e vendosim në një kullesë lartë një tenxhereje me ujë të vluar. Lakrën e lemë për 2-3 minuta që të zbutet dhe më pas e lemë të ftohet.

Ndërkohë grijmë qepën dhe karrotën në rende. I vendosim në një tas ku shtojmë mishin e grirë, orizin, lakrën e zbutur, të bardhat e vezëve, kripë, piper, koper, nenexhik, majdanoz dhe 2 lugë vaj ulliri. E përziejmë mirë brumin e qofteve dhe nëse kemi mundësi e lemë për 2-3 orë të pushojë në frigorifer.

Pasi brumi i qofteve të ketë pushuar në frigorifer realizojmë qofte të rrumbullakëta sa një kokërr arrë. Vendosim në zjarr një tenxhere me 1.5 litër lëng mishi ose perimesh ku shtojmë 2 lugë vaj ulliri dhe pasi buljoni të ketë marrë valë hedhim qoftet e përgatitura një e nga një. I lemë qoftet të ziejnë për rreth 20 minuta.

Rrahim më pas të verdhat e vezëve së bashku me lëngun e limonit. Përziejmë niseshten me pak ujë derisa të tretet dhe e shtojmë tek të verdhat e vezëve. Rregullojmë temperaturën e vezëve që të mos na priten me pak lëng buljoni dhe e shtojmë më pas në tenxheren ku po ziejnë qoftet. E lemë për rreth 5 minuta gatimin të përfundojë dhe më pas fikim sobën. E lemë tenxheren të qendrojë mbi sobë për rreth 10 minuta të ajkoset salca dhe më pas e servirim menjëherë të ngrohtë spërkatur me pak piper të zi dhe majdanoz të freskët.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb