Maturantët që nuk kanë aplikuar me formularin A1/A1Z do të kenë mundësinë të plotësojnë formularin online në datat 27-31 maj të këtij viti. Qendra e Shërbimeve Arsimore njofton kështu rihapjen e portalit të Maturës Shtetërore online. “Njoftohen të gjithë maturantët/ kandidatët që nuk kanë aplikuar me formularin A1/A1Z në portalin Matura Shtetërore 2019, se portali i Maturës Shtetërore online dhe Portali e-albania do të hapen për aplikime nga data 27 maj deri më 31 maj 2019, nga ora 09.00 deri në orën 16.00. Plotësimi online i formularit A1/A1Z, bëhet në shkollat ku maturantët/kandidatët kanë kryer arsimin e mesëm të lartë ose në shkollën e përcaktuar nga KMSH-ja e vendbanimit, nëse shkolla e mesme që kanë përfunduar është mbyllur”,-bën me dije QSHA.

Më tej kjo e fundit thekson se procesi i plotësimit të Formularit A1/A1Z ndiqet nga një person i ngarkuar nga drejtoria e shkollës, që quhet “mbikëqyrës”. Përfaqësuesit e shkollës do të marrin kontaktet e maturantit/kandidatit për ta njoftuar më vonë për paraqitjen në shkollë për hedhjen e të dhënave shkollore të tre viteve të arsimit të mesëm.

Testimi
Ndërkohë nga data 7 deri në 24 qershor të këtij viti, do të zhvillohen provimet e Maturës Shtetërore 2019. Përkatësisht maturantët në 7 qershor do t’i nënshtrohen provimit të parë, atij të gjuhës së huaj; në 12 qershor do testojnë njohuritë në lëndën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, ndërsa provimi i Matematikës do të zhvillohet në 17 qershor të 2019-ës. Ndërkohë në udhëzim bëhet me dije për të gjithë maturantët e vitit mësimor 2018-2019 se provimi me zgjedhje do të mbahet në 24 qershor.

“Administrimi i provimeve të Maturës Shtetërore 2019, bazohet në Rregulloren e Maturës Shtetërore 2019, miratuar me urdhrin nr. 780, datë 23.11.2018, të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Drejtoria e Përgjithshme e Politikave dhe Zhvillimit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë në MASR dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore, të përcaktojnë testin për secilin provim të Maturës Shtetërore. Provimet e detyruara dhe me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2019 fillojnë në orën 10:00. Dhe zgjasin 2 orë e 30 minuta. Testet e provimeve të detyruara dhe me zgjedhje hartohen, administrohen dhe vlerësohen nga QSHA-ja”,-theksohet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, Sportit e Rinisë. Testi për secilin nga provimet e detyruara dhe me zgjedhje do të vlerësohet me 60 pikë maksimale. Maturantët/kandidatët që rezultojnë mbetës në provimet e Maturës Shtetërore 2019, do të rijapin provimet në sesionin e dytë. Institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, do të marrin nga shkollat listat e maturantëve mbetës të vitit shkollor 2018- 2019, dhe brenda datës 5 qershor 2019, do t’i pasqyrojnë ato në sistemin elektronik matura online.

“Listat e maturantëve mbetës të dërgohen në QSHA, në format të printuar dhe elektronik. Drejtoritë e shkollave njoftojnë maturantët mbetës, që të mos paraqiten në provimet e Maturës Shtetërore 2019, pa likuiduar më parë provimet e klasës. Organizimi i konsultimeve me maturantët të kryhet sipas procedurave të përcaktuara në Urdhrin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës nr. 121, datë 25.2.2011, “Për organizimin e konsultimeve në ndihmë të nxënësve maturantë””,-thuhet në Fletoren Zyrtare.

Seksioni dygjuhësh
Ndërkohë, testi i provimit “Gjuhë dhe letërsi italiane” (Lingua e literatura italiana) për seksionet dygjuhëshe shqiptaro-italiane do të përgatitet nga Ministria e Arsimit e Republikës së Italisë dhe provimi do të zhvillohet më datë 24 maj 2019, në shkollat përkatëse. Ndërsa testi i provimit “Gjuhë frënge” (DELF B2 scolaire) për seksionet dygjuhëshe shqiptaro-franceze përgatitet nga ambasada franceze dhe provimi zhvillohet më datë 24 maj 2019, në shkollat përkatëse. “Tërheqja e testeve të provimeve të Maturës Shtetërore 2019 bëhet sipas grafikut të hartuar nga QSHA-ja dhe të miratuar nga MASR-ja. Përfaqësuesit e Postës Shqiptare tërheqin në QSHA materialet e provimit, një ditë para zhvillimit të provimit përkatës. Materialet e provimit paketohen për çdo qendër më vete. Shpërndarja dhe grumbullimi i materialeve të provimit bëhet mbështetur në Rregulloren e Maturës Shtetërore 2019, në Republikën e Shqipërisë. Provimet kombëtare të Maturës Shtetërore 2019 zhvillohen në qendrat e provimeve të përcaktuara nga Komisioni i Maturës Shtetërore në institucionet arsimore vendore përgjegjëse për arsimin parauniversitar, mbështetur në Rregulloren e Maturës Shtetërore 2019, në Republikën e Shqipërisë”,-theksohet në udhëzim.

Datat dhe testimet
Lëndët dhe datat për provimet e Maturës Shtetërore 2019,
a) Gjuhë e huaj: 7 qershor 2019;
b) Gjuhë shqipe dhe letërsi: 12 qershor 2019;
c) Matematikë: 17 qershor 2019;
d) Provimi me zgjedhje: 24 qershor 2019.
Provimet e detyruara dhe me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2019:
† Fillojnë në orën 10:00.
† Provimet e detyruara dhe me zgjedhje zgjasin 2 orë e 30 minuta.
† Testet e provimeve të detyruara dhe me zgjedhje hartohen, administrohen dhe vlerësohen nga QSHA-ja.
† Testi për secilin nga provimet e detyruara dhe me zgjedhje vlerësohet me 60 pikë maksimale.
† Maturantët/kandidatët që rezultojnë mbetës në provimet e Maturës Shtetërore 2019, rijapin provimet në sesionin e dytë. /GSH/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb