TIRANE

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka reaguar pas dhunës së ushtruar ndaj dy mjekëve, njëri në Tiranë dhe tjetri në Lezhë. Përmes një njoftimi QSUT dënon aktin e dhunës së ushtruar ndaj mjekes specializante të Klinikës së parë të Kirurgjisë me inicialet V.Z.

“Fatkeqësisht ky nuk është një rast i izoluar por është rast i përsëritur, që mjekë dhe infermierë të spitalit tonë dhunohen në krye të detyrës”- thotë ndër të tjera QSUT.

Reagimi i plotë i QSUT:

Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, dënon rëndë aktin e dhunës së ushtruar nga një person i papërgjegjshëm, kundrejt mjekes specializante të Klinikës së parë të Kirurgjisë V. Z, gjatë ushtrimit të detyrës në Urgjencën Kirurgjikale.

Një person i dehur, i papërgjegjshëm, i afërm i një pacienteje e cila po merrte shërbim mjekësor, ka dhunuar mjeken dhe më pas është konfliktuar edhe me forcat e rendit, të cilët ushtrojnë detyrën e tyre në shërbimin e Urgjencës Kirurgjikale.

Fatkeqësisht ky nuk është një rast i izoluar por është rast i përsëritur, që mjekë dhe infermierë të spitalit tonë dhunohen në krye të detyrës.

Drejtoria e QSUT edhe një herë dënon aktin e dhunës të ushtruar ditën e djeshme ndaj personelit mjekësor dhe u bën thirrje organeve kompetente të zbardhin ngjarjen dhe autorët të marrin dënimin e merituar.

Një apel të fortë i bëjmë opinionit publik, të mirëkuptojnë dhe përkrahin bluzat e bardha gjatë punës së tyre, të cilët pavarësisht situatave të krijuara, në asnjë rast nuk neglizhojnë misionin human, atë të dhënies së ndihmës së parë dhe shpëtimin e jetëve njerëzore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: