News24 vëzhgoi sërish nga afër situatën e rrugës Qukës Qafe Plloçë, e cila në të gjithë gjatësinë e saj dëshmon se aty nuk punohet. Asnjë ndryshim nuk ka pamja e rrugës nga hera e fundit që kamerat tona filmuan aty, në nëntor 2018.


Punimet këtu kanë vite që zvarriten dhe situata e krijuar ka sjellë vështirësi dhe probleme për banorët e fshatrave përreth, të cilëve iu është premtuar një rrugë që do t’iu rrisë cilësinë e jetës dhe do t’iu bëjë të mundur lidhjen e shpejtë me qytetet pranë. Për banorët e fshatit Kickovë në krahinën e Mokrës,  punimet e zvarritura në këtë rrugë kanë sjellë vetëm pluhur dhe ua kanë vështirësuar më tepër jetën.



Gjithcka që duket se ka përfunduar janë vetem 3 km rrugë në Karkavec, Ura e Manastrecit, Ura e Golikut, ndërsa pjesa tjetër ka mbetur në harresë.

Banorët shprehen se në dy vitet e para kur nisi ndertimi i aksit lidhës Qukës-Qafë Pllocë firma punoi me intensitet, por vitet e fundit nuk ka ndodhur e njëjta gjë. Ata tregojnë se punimet për ndërtimin e rrugës janë ndërprerë totalisht që prej muajit dhjetor të vitit të kaluar.

U tha se ky segment do përfundonte në korrik të 2019 por nga ajo që pamë sot është thuajse e pamundur që ajo të ndodhë. E parashikuar në 3 lote rreth 43 kilometër të gjatë ky segment i rëndësishëm por në një terren të vështirë e kthen në një nga rrugët më problematike që ka thyer premtimet e dhëna ndër vite.

Segmenti rrugor Qukës – Qafë Pllocë është parashikuar të jetë rreth 43 km i gjatë më 3 lote. Ai do të shkurtonte se tepërmi distancën që të lidh me juglindjen e vendit kryesisht me Korcën dhe shtetin fqinj.  Greqinë. Në 11 vite situata është kjo… dhe përdoruresit e rrugës urojnë që të mos kalojnë edhe 11 të tjerë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb