Ervin Resuli, president i Urdhrit Veterinar, i ftuar në “Koha për tu zgjuar” në News24, foli mëngjesin e sotëm në lidhje me sigurinë e produkteve ushqimore në një kohë kur blerjet e konsumatorëve rriten me ardhjen e festave të fundvitit.

Ai u shpreh se siguria ushqimore në vend është në nivele të mira, por se gjithmonë ka vend për përmirësim, ndërsa shtoi se konsumatori shqiptar është i varfër dhe orientohet drejt produkteve të lira, që ndodh të ketë edhe kosto në pjesën e sigurisë ushqimore.

Zoti Resuli ceku edhe pjesën e subvencioneve të munguara apo në nivele të ulëta, që blegtorët vendas marrin, duke bërë që çmimi i qumështit për shembull në vend të jetë në nivelet më të lartë në rajon dhe Europë.

“Shqipëria ka një nivel sigurie sa i përket produkteve ushqimore që konsumojmë, ka nevojë për përmirësim. Këshillohet që ashtu siç shkojmë në dyqan për të blerë rroba dhe shohim masat apo markën, njëjtë duhet të shohim edhe produktet ushqimore.
Konsumatori të drejtohet drejt produkteve që ka të dhëna mbi prodhuesin.

Sa i përket gjelit të detit, mund ta marrim në fshat tek të njohurit por kemi edhe gjel deti të therur që kanë një etiketë, nga kompani shqiptare.
E vërtetë është që ka të bëjë edhe buxheti i konsumatorit pasi konsumatori ynë është i varfër dhe shkon drejt produkteve të lira, që jo gjithmonë janë të duhurat sa i përket sigurisë ushqimore.
As me qumësht dhe as me mish, Shqipëria nuk arrin dot të plotësojë nevojat e saj, aq më tepër në pikun e sezonit turistik kur numri i konsumatorit rritet ndjeshëm.
Çmimi i qumështit në vend është aktualisht më i shtrenjtë në rajon dhe në Europë.
Kemi blegtorë të pambështetur, mekanizmat që rregullojnë tregun, pra subvencionet nuk merren. Blegtorët sot marrin lëmoshë, janë skema që nuk kanë feedback në uljen e kostove”
, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb