Nga Zonja Katerina
Përbërësit

1.2 litër qumësht, ¾ filxhan miell ermik, ¾ filxhan sheqer, 5-6 kokrra vezë, 1 bustinë vanilje, 200 gr gjalpë, 1 pako peta për bakllava
1 filxhan çaji arra, 2 feta bukë + 1 lgj vaj, 1 lugë çaji kanellë.

Sherbeti:
3 filxhanë sheqer
2 filxhanë ujë
½ limon (lëng + cipë)

Përgatitja

Vendosim qumështin të ngrohet, jo të marrë valë. 1 filxhan qumësht e heqim dhe e lemë mënjëanë.

Në një enë rrahim vezët me sheqerin. Kur sheqeri të jetë tretur mirë shtojmë miellin ermik, vaniljen dhe filxhanin e qumështit. Kur qumështi të jetë ngrohur mirë por jo të ketë marrë valë e shtojmë masën e përgatitur duke e trazuar mirë dhe e lemë derisa të bëhet një masë kremoze e lidhur. Në fund shtojmë një lugë gjalpë, e përziejmë dhe një herë dhe e largojmë nga zjarri.

Në një tigan shkrijmë rreth 150 gr gjalpë.

Përgatisim arrat me thërrimet e bukës që i kaurdisim lehtë në tigan me 1 lugë vaj dhe pak sheqer që kemi mbajtur nga masat që kemi. Thërrimet e bukës të kaurdisura i trazojmë me arrat duke shtuar dhe pak kanellë.

Marrim një tavë, e lyejmë me pak gjalpë dhe shtrojmë 2 peta. I spërkasim me pak gjalpë dhe me përzierjen me arra dhe thërrime buke. Vendosim përsëri 2-3 peta spërkatur me gjalpë dhe me arra. Vendosim kremin e përgatitur dhe përsëri petët me rradhë duke i spërkatur me gjalpë dhe me arrat me galetën e bërë vetë. E presim në fund në racine, e spërkasim të gjithë sipërfaqen me gjalpë dhe pak ujë dhe e vendosim ëmbëlsirën në furrë të piqet për 40-45 minuta në temperaturën 180 gradë Celsius.

Ndërkohë përgatisim sherbetin dhe e lemë të ftohet. Pasi ëmbëlsira të jetë pjekur e lemë pak të ulë temperaturën dhe më pas shtojmë sherbetin e ftohtë të cilin ia hedhim në mënyrë graduale rreth e rotull në mënyrë që të përthithet mirë. E lemë të ftohet për 2-3 orë dhe e kemi gati për ta konsumuar.

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb