NGA DRITAN HAXHIRAJ*

Impakti i parë që pata sa kalova doganën e aeroportit të Milanos duke ndjekur ekranin televiziv dje ishte e një kataklizme që po zhvillohej në kanalin e Sicilisë.
Komentet e bashkudhëtarëve të mi që ktheheshin nga weekendi Athinës ishin të tmerrshme… “Nuk ka punë për ne europianët…Pse nuk qëllojnë mbi peshkarexhat…
Ku do venë 1 milion afrikanë në Europë…”
Pyetja që më lindi se çfarë lidhje ka emigracioni Biblik i kontinentit afrikan që po ndodh në brigjet e Italisë nga ky super emigracioni i heshtur shqiptar?
Asgjë në strategjinë e politikave të jashtme të vendeve të zhvilluara nuk ndodh rastësisht, as sot as para shumë dekadave duke filluar nga Bonaparti e duke përfunduar te Kohl… Këto lëvizje migracioni e kanë një pike referimi atë të ndryshimeve demografike.
Europa ka lindje gati nën nivelin e Fuqive që vendosin Politikat Globale… Europa mbas 50 viteve do ketë zona të tëra që nuk do të kenë popull për ta banuar dhe ku mosha e tretë është protagonistja aktive e zhvillimeve sociale. Europa me një monedhë të përbashkët pa një politikë të jashtme të konsoliduar lëviz dhe në këtë tragjedi të emigracionit planetar me ide e me inate të vjetra.
Europa pa një Kushtetutë Europiane ku Komisarët Europianë më shumë duken si diva kinemaje se sa si politikbërës japin akoma idenë se flasin për të dëgjuar vetëm ata.
Operacioni Italian “Mare Nostrum” i kushtonte popullit italian, 9 milion €/muaj.
Operacioni “Triton” me flamurin e BE, pra të 27 shteteve kushton 3milion €/muaj.
Pra i njëjti operacion për të mbrojtur brigjet e Evropës nga varkat e vdekjes që mbushen me emigrantë që shpëtojnë nga luftërat që kanë ndezur Afrikën.
Kjo është Europa e indiferencës.
E dy tragjedive globale e dy luftrave të përgjakshme të shekullit të kaluar. Ku në këto shifra kjo Europë paraqet indiferencën për çfarë ndodh në një kontinent të martirizuar si Afrika.
Mali, Guinea e Nigeria janë ndezur flakë dhe ky është vetëm fillimi i një mase njerëzish që po zbarkojnë në brigjet e Italisë.
Kjo masë njerëzish nuk ka fare të bëjë me masën e “heshtur ” të të rinjve shqiptarë që po zbrazin qytetet tona. Dikush thotë faji është imi o yti…
Dikush flet, por për çfarë?
Këtu nuk flitet për faje këtu flitet për gjenerata të rinjsh që janë rezultat i jo Politikave të shume dekadave nga politikbërësit që si profesion kanë të dëgjojnë ato që veshët e tyre duan të dëgjojnë.
Jo ato që populli e të rinjtë shqiptarë vuajnë çdo ditë në kurrizin e tyre.
Në mes të këtyre dy emigracioneve qëndron Europa që sheh e që bën pak për mos të thënë shumë pak e mbushur me hallet e saj…Quo Vadis Europa?….

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb