Kandidatja e Partisë Demokratike në listën e hapur për Tiranën, Jorida Tabaku, vizitoi sot tregun e Laprakës për të parë nga afër situatën alarmante të bizneseve të vogla dhe boshatisjen e tregjeve në kryeqytet. Gjatë vizitës, ajo pati mundësinë të bisedojë me qytetarë dhe sipërmarrës, të cilët i shprehën shqetësimet e tyre për rritjen e çmimeve dhe mungesën e mbështetjes nga shteti.
“Kam ardhur sot në tregun e Laprakës për të parë situatën reale në tregjet e Tiranës, në këtë krizë të thellë ekonomike dhe krizë të bizneseve të vogla”, u shpreh Tabaku.
Një nga sipërmarrëset që punon e vetme në treg, në kushte të vështira, theksoi se sistemi është i padrejtë dhe nuk ofron shpresë:
“Këtu nuk ka drejtësi, nuk ka mbështetje, gjithçka është lënë pas dore!”, tha ajo me revoltë.
Deputetja Tabaku iu përgjigj:
“Për ta ndryshuar këtë situatë, duhet një ndryshim i vërtetë. Dhe për këtë jemi ne këtu. Ti po flet me mua dhe unë do të jem zëri yt. Ne do ta thyejmë këtë padrejtësi!”
Duke theksuar se problemet nuk kufizohen vetëm te shëndetësia, por shtrihen edhe te taksat, arsimi dhe mungesa e mundësive për të rinjtë, Tabaku shtoi:
“Ashtu si në shëndetësi, edhe te taksat, edhe te arsimi, gjithçka është njësoj. Ne duhet ta ndryshojmë këtë sistem që i ka braktisur qytetarët.”
Me këtë vizitë, Tabaku konfirmoi se do të jetë zëri i atyre që sot nuk dëgjohen dhe garancia për një alternativë që e vendos qytetarin të parin.
(BalkanWeb)