Sheshi “Skënderbej” ia ka dalë të kthehet në një qendër të madhe eventesh artistike. Pas një vere të mbushur me spektakle kulturore e sportive, sheshi kushtuar qytetarëve të Tiranës është hapësira më e frekuentuar për shfaqje të ndryshme.

Këtë të shtunë, qytetarët e shumtë dhe të vegjlit patën mundësi të ndiqnin një nga spektaklet më të njohur në botë, i njohur si Teatri i Rrugës “Mobile Homme”, i organizuar nga Ambasada franceze në Shqipëri, me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe Aleancës Franceze.

Shfaqjen e ndoqi edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se kryeqyteti ka pasur aktivitete të shumta kulturore dhe shtoi se kjo traditë e bukur do të vijojë edhe më tej. “Jam shumë i lumtur që, në fakt, Tiranës nuk i kanë munguar aktivitetet gjatë gjithë verës, por sidomos edhe tani në vjeshtë. Dua të falenderoj shumë kolegët e Ambasadës franceze, ambasadoren Christine Vasak që bashkëpunoi për të na sjellë një shije të veçantë të Francës, diçka jo klasike sportive, por mbi të gjitha një dhuratë për fëmijët e Tiranës; besoj se për fëmijët e Tiranës më e mira është gjithmonë përpara”, tha ai.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Kryebashkiaku theksoi se përkundër skeptikëve që mendonin se sheshi nuk do të arrinte të mbushej asnjëherë, evente të tilla kulturore janë tregues se ky transformim e ka kthyer atë në një nga hapësirat më të preferuara për qytetarët e Tiranës. “Për të gjithë ata që mendonin se sheshi “Skëndërbej” ishte shumë i madh dhe nuk do mbushej kurrë, ja ku është sot, plot me fëmijë, plot hare, plot gëzim; unë besoj se e gjithë e ardhmja e Tiranës do të jetë plot gëzim. Kështu që, shumë faleminderit miqve francezë dhe mezi pres të bëjmë akoma më shumë gjëra të bukura bashkë”, u shpreh Veliaj.

Spektakli vijoi me shfaqje të ndryshme dhe nga trupa e Cirkut Kombëtar dhe Banda Frymore e Qytetit të Tiranës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb