Partia Demokratike denoncoi ditën e sotme se Bashkia e Tiranës po i mohon qytetarëve përfitues bonusin e qirasë. Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli solli rastin e qytetarëve të cilët sipas saj kanë denoncuar se prej muajit Gusht 2022, bashkia ka ndërprerë bonusin e qirasë, rast ky i lidhur me shpronësimet për shkak të ndërtimit të segmentit rrugor Unaza e Madhe e Tiranës.
Bashkia e Tiranës ka reaguar për BalkanWeb, duke deklaruar se qytetarja është shpallur fituese për bonusion e qerasë me një afat 1-vjeçar, afat që ka përfunduar më 15 nëntor 2024.
Procedurat sipas Bashkisë përfshijnë ribërjen e dokumentacionit, ndërsa sqarohet se dosja i ka kaluar komisionit dhe në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak do të miratohet sërish.
“Bashkia e Tiranës sqaron për Balkanweb se qytetarja “është shpallur fituese me VKB.nr.114 datë 15.11.2023 me afat 1-vjeçar deri më 15.11.2024.
Pasi i ka përfunduar afati dhe nuk marrë më pagesë, qytetarja ka ribërë dokumentet. Dosja i ka kaluar komisionit dhe në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak do të miratohet sërish. Në lidhje me z.Alfons Halil Gjalpi, për vitet 2023 dhe 2024 nuk ka sjellë asnjë dokumentacion si familje që është prekur nga Unaza e Madhe, Selitë”, thuhet në reagim.
(BalkanWeb)