Nga: PËRPARIM KABO *
Më ndodhi që bora e parë e këtij viti në Tiranë, e cila së pari përshëndet malin e Dajtit, këtë mrekulli natyrore, të më kapte atje. Ishte mbrëmje kur sa zbritëm me një grup miqsh nga gondola e teleferikut, kur fjollat e mëdha dhe të buta ranë mbi supet tona dhe fytyra u prek nga ato shtëllunga të bardha kristalesh. Në fakt, teleferiku që këtë vit 2015 mbush 10 vjet, është një mjet transporti tokë-ajër-tokë që e ka shtuar modernitetin e Tiranës. Ndoshta i vetmi që e afron qytetin tonë me qytete europiane si ata në Austri, Zvicër e gjetiu. Nga Mali tek u ktheva, udhëtova me një djalosh 18-vjeçar. Ai do jetojë në Tiranë edhe nja 70 vite së paku. Të dy e pamë Tiranën të shtrirë, e mbuluar me drita. Njëra pjesë e hijes së saj ishte e errët, si nën një shtresë të trashë tymi. Ky është smogu më tha djaloshi. Unë heshta, por se nga brenda meje iu gjegja. Atje është fati yt dhe i brezit tënd djalosh. Në moshën tënde unë vija në malin e Dajtit në këmbë çdo muaj me shokët e shoqet e shkollës dhe thithja ajër të pastër e pija ujë në burim. Uji i Selitës në rubinetat e shtëpive tona aso kohe ishte brisk i ftohtë, i pastër e me shije, pa çka se uji është një lëng pa shije, erë dhe ngjyrë. Tek prisnim të vinte gondola, në një ekran televiziv ishte shfaqur e fliste për Tiranën moderne, kryetari bashkisë zoti Lulëzim Basha. Fjalët nuk i dëgjoja, porse figura ishte atje në një ceremonial përbetimi. Mu mblodh diçka në grykë. ‘Seriozisht e ka ky’, thashë më vete? Tani që po ikën nga detyra po flet për kryeqytetin modern? Eh moderniteti, sa teori qarkullojnë për të? Sa kundrateori hidhen në qarkullim? Nëse është fjala për zhvillimin e qytetit që ai të ngjajë si një qytet europian, e gjithë kjo ndërmarrje është mëse e mirëpritur dhe e dëshiruar, nga ata që jetuan dhe nuk janë më, nga ata që jetojnë dhe nga ata që do të vijnë me brezat e ardhshëm. Qyteti para se të jetë modern duhet të jetë qytet dhe jo fshat, jo zonë nënurbane. Ky lloj zhvillimi civil nuk nis e bëhet në një ditë dhe as në stacionin e dëshirave të mira. Qyteti, kjo hapësirë urbane, si i tillë, duhet të jetë fillimisht i banueshëm. Një ambient natyror i shëndetshëm, me një peizazh gjeografik tërheqës, me reliev mikpritës, me kodra minimumi, me ujëra, me pyje dhe me burime të tjera të zhvillimit. Tirana ka, apo kishte lumë?! Ata që në rrjedhat historike paraosmane e zgjodhën si vendbanim kishin llogaritur pozicionin e trojeve me dy lumenjtë që e rrethonin aq ëmbël, lumin e Tiranës dhe lumin Erzen. Tirana ka, apo kishte kodra?! Tirana ka apo kishte mal?! Tirana ka apo kishte ujëra?! Tirana ka apo kishte pyje?! I kishte, por nuk i ka më. Lumenjtë janë ndotur në mënyrë të frikshme dhe në vend që të sjellin ujë e freski në behar, ata qelben nga hedhjet e mbeturinave. Brigjet e shtratet e tyre janë ngrënë nga makinat gërmuese dhe zhavorishtet. Rëra e krijuar në shekuj është tani beton në godinat shumëkatëshe që kanë ngrënë dhe kodrat e buta të saja, aq të bukura dhe të begata, qoftë me shkurre, qoftë me vreshta e pemë frutore kumbulla, pjeshkë e qershi. Madje, ky pushtim betoni ka zënë edhe malin e Dajtit. Ai nuk duket më i plotë, është fragmentizuar në pamje. Vetëm një pozicion ta afron hijeshinë e malit të padeformuar, ai gjatë rrugës pas Liqenit Artificial, që të shpie drejt qendrës tregtare TEG. Atje pasditeve mund të shijosh madhështinë e malit, megamushkërisë së qytetit, që i jepte Tiranës hijeshi, origjinalitet dhe shëndet për njerëzit në shekuj. Pa ajrin e pastër nuk ka qytet të banueshëm dhe jo më qytet modern. Zoti kryebashkiak, dhe Ju që ishit para tij, dhe Ju që po planifikoni që të vini në atë karrige me zgjedhjet lokale të vitit 2015, dëshiroj si qytetar i lindur e rritur për 60 vite në Tiranë t’ju pyes: A mund të thoni se çfarë keni bërë, jeni duke bërë dhe do të bëni për cilësinë e ajrit në qytetin e Tiranës, ku sipërfaqet e pyllëzuara u zhveshën, ku korridoret e ajrit janë zënë nga ndërtimet jashtë kritereve më elementare urbane, ku edhe parqet shtrohen me pllaka betoni dhe stola betoni?! Ju përzutë nga qyteti ajrin e pastër, vratë mushkërinë, çakërdisët mikroklimën e qytetit. Ju po vrisni jetën e qytetit dhe të ardhmen e tij. Ai do të braktiset në të ardhmen si edhe ka filluar të ndodhë tashmë. Dua t’ju drejtohem me një pyetje duke e paraprirë me një parashtresë shkencore.
NO2 është një gaz reaktiv që është i formuar përgjithësisht nga monoksidi i oksidit të azotit (NO). Temperatura e lartë e procesit të djegies (dmth. ato ndodhin në motorët e makinave dhe termocentralet) janë burimet e mëdha të NO dhe NO2 Të dy këto gaze janë të njohura kolektivisht si NOx..Llogaritjet e Monoksidit të Azotit për shumicën e emetimeve të NOx. Një pjesë e vogël e NOx të emetuar është e çliruar direkt si NO2, zakonisht 5% dhe 10% nga shumica e burimeve djegëse. Pritet që nga automjetet diesel të jetë tipike emetimi i proporcioneve të larta të NO2, aq sa deri në 70% të NOx të tyre është NO2, sepse thithja e tyre pas trajtimit në sisteme rrit direkt lëshimin e NO2.. Ka indikacione të qarta që për trafikun e emetimit, parësia e fraksionit të NO2 është duke u rritur në mënyrë të dallueshme për shkak rritjes së hyrjes së automobilave diesel, në mënyrë të veçantë të makinave atyre më të rejave (Euro 4 dhe 5) ndotja e tyre me NO2 në pikat më të nxehta kap vlerat limite.
Ky është një përfundim prej një studimi të Bashkimit Europian. Tani ju pyes: A ka studim për këtë lloj ndotjeje për kryeqytetin? Në qytetin e Tiranës që dikur binte era lule, me matje të kryera rezulton se është një qytet i ndotur. I mbingarkuar me gazra helmuese, sepse thithja e tyre nga bimësia si është CO2 është zvogëluar, pasi pyjet e Tiranës si sipërfaqe janë pakësuar dhe në blloqet e reja të banimit nuk është e llogaritur sipërfaqja e gjelbër për frymë. Transporti urban me energji të pastër si trolobuzët dhe tramvajat që lëvizin me rrymë elektrike nuk janë ende në Tiranë. Trenat elektrikë të nëndheshëm nuk janë. Automjete dhe vetëm automjete, nga mëngjesi deri në mëngjes gjen ngado, aq sa edhe dritaret nuk i hapim dot. Ju pyes zoti kryetari Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, si ju duket ajri i qytetit tonë krahasuar me ajrin që thithje kur u shkolluat në Holandë? Më thuaj a gjetët ndonjë studim apo kryet një të tillë në këta po thuaj katër vite në atë detyrë të rëndësishme. Sa është NO2 në Tiranën tonë të shtrenjtë? I frikshëm! Po të ishte gjallë një tironas fisnik, doktori pneumonong Shefqet Ndroqi, ai që kuroi tuberkulozin masiv pas luftës dhe që ngriti spitalin e Sanatoriumit në Tiranë, do të shpallte alarmin. Qytet modern me mushkri të sëmura nuk ka. Tirana është qytet i sëmurë. Në asnjë pikë nyje të qytetit tonë shesh apo kryqëzim kryesor, nuk ka tabelë monitoruese që tregon me shifra në mënyrë të pandërprerë, temperature e ajrit, nivelin e oksigjenit, gazit karbonik, nitratit të azotit, hidrogjenit, lagështirës etj. Pse? E thjeshtë. Një transparencë e tillë në çdo qytet të vendit do ta vinte me “shpatulla për muri” secilin drejtues i zgjedhur apo i emëruar qoftë.
Në teoritë moderne të mirëqenies, kushtet e mirëfillta natyre dhe pastërtia ambientale janë konsideruar si elemente të rëndësishme të mirëqenies publike dhe individuale. Eh pra, qytet pa mirëqenie, me ndotje të ambientit dhe pisllëk ka, por se qytete moderne pa mirëqenie s’mund të gjesh, vetëm nëse kërkon në fantazi. Tani së fundmi u mor vesh se kullat te diga e liqenit artificial do ngrihen. Po hapen themelet. Kundërshtia e deputetëve të pozitës humbi. Nga godinat me një model të shtrirë që u propozua para mandatit të zotit Basha, tani do kemi model arkitektonik të ngritur të po atij vet. Po ku, në cilin qytet të Europës moderne ndërtohet buzë liqenit dhe këto njolla betoni të quhen elemente të modernitetit? Arroganca nuk po njeh kufij. Interesi tregut mbi gjithçka, kjo është filozofia e drejtimit te ne. Vendimmarrja nuk e llogarit më interesin komunitar. Ndërtime mbitokësore pa hesap, aq sa në kodrat e liqenit mund të shkosh nga njëri ballkon te tjetri me sy mbyllur. Po kështu rrëzë malit të Dajtit, kështu në Kashar, e gjetiu. Fakti kryer, kjo është politika që kemi takuar tash e 25 vite. Edhe rrethinat janë “populluar” me ndërtime pa leje e po legalizohen. Për tokat bujqësore as që pyeti kush. As për kthimin e pronave private te pronarët legjitimë nuk u gjet zgjidhje. Porse ka një pyetje që rri pezull bashkë me erën e qelbur. Zoti Basha dhe ai apo ajo që do të vijë pas jush, çfarë do të bëhet me ujërat e zeza në Tiranë? Do vijohet me këtë sistem që kemi ndërtuar që në kohën e Mbretërisë, ku lumi Lana mes përmes qytetit të shpjerë në det edhe ujërat e zeza, kur Tirana e ka shumëfishuar popullsinë? A ka një ide-projekt ndryshe? A do mendohet që ajo që u realizua në Pogradec për ujërat e zeza me projektin Gjermano-Shqiptar, të realizohet edhe në Tiranë? Çaktivizimi i ujërave të zeza dhe mbrojtja e lumenjve dhe deteve nga fekalet urbane, a do kthehet në shqetësim kombëtar? Shqipëria si vend europian ka nevojë urgjente për një masterplan kombëtar, për punime inxhinierike nëntokësore dhe mbitokësore, me qëllim që të shpëtojmë nga ujërat e zeza, nga gjirizi dhe era e infeksionet që ato përhapin. Të ruajmë tokën dhe nëntokën, ujërat e bardha të pijshme dhe urbane, me qëllim që shoqëria jonë njerëzore të mos jetë më me hepatit social. Ky do të ishte qyteti modern. Edhe vilat e bukura ndërtuar kodrave të Tiranës, në Sauk, Surel, Ibë, Kashar, Selitë e gjetiu dolën jashtë përdorimit. Gropat septike kanë mbipopulluar hapësirat dhe era e keqe kutërbon. Edhe nëse ato pastrohen herë pas here me makina enkas për këtë shërbim, te ne ende nuk ka fabrika dhe impiante pastrimi e çaktivizimi. Ndaj ato hiqen andej dhe derdhen diku tjetër gjetiu. Atje ku mendohet se toka nuk ka zot, pra nuk është private por është publike, madje sipas fakteve edhe deri në trase hekurudhash. Një qytet modern duket se si sillet me mbetjet urbane. Sistemi landfildeve nuk është i mjaftueshëm, madje klasifikohet i kapërcyer. Mbledhja e selektuar dhe riciklimi mbetjeve janë në ditët tona modeli i përpunimit dhe shmangies së rrezikut të ndotjes prej tyre. Porse ne ende jemi me kazanë plehrash në rrugë dhe jo në hyrje të pallatit ku ndahen veç e veç, letra, xhami, plastika dhe mbetjet ushqimore. Dhe ashtu ato mund të tërhiqen të veçuara dhe të shpien atje ku riciklohen. Nuk kam dëgjuar për një strategji kombëtare që do të zgjidhte këtë problematikë, urbane, nënurbane dhe rurale në Shqipëri. Ndaj ende te ne ka kuptim shprehja “si gjeli maje plehut”. Në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera, sektori shërbimeve, kafenetë, restorantet, pube-t, etj., duhet të kenë kazanët e tyre brenda lokaleve dhe jo t’i hedhin mbetjet pas mesnate atje ku i derdhin qytetarët. Duhet të ketë një orë të veçantë, kur makina do duhet të vijë t’ua tërheqë mbetjet dhe tarifat e tyre duhet të jenë speciale, si edhe janë me taksën e pastrimit, por dhe shërbimi veçmas. Ata mund t’i fraksionojnë edhe më lehtë se qytetarët. Në Europë banorët e pallateve e bëjnë këtë ndarje me kujdes dhe ato objekte, si shishet plastike që shiten për riciklim, mblidhen e tregtohen prej tyre sepse sigurojnë të ardhura që përdoren për mirëmbajtjen e pallatit dhe ambientit për rreth. Qyteti modern është ai që ka siguri të lartë dhe shërbime moderne për mbrojtjen dhe komunikimin. Kudo në Europë shikon se atje ku kalon linja magjestrale e ujit ka një dalje emergjence që përdoret nga zjarrfikëset në raste të rënies së zjarrit, sepse nuk ka kuptim që pasi cisterna të zbrazet, makina zjarrfikëse të shkojë e të rimbushet në bazën e vet të furnizimit, si edhe ndodh tek ne rëndomë. Madje, as në pallatet e reja, ky kusht teknik nuk është respektuar rigorozisht dhe kur godinat janë marrë në dorëzim, e është dhënë leja e shfrytëzimit, as që janë bërë prova paraprake nga specialistët e bashkisë që e kanë për detyrë e përgjegjësi funksionale. Tirana të tremb me kabllot nëpër pemë për shërbim telefoni fiks dhe internet. Duken si zorrë të varura në degë. Medet, Shqipëria dixhitale e në moshën e internetit. Qyteti modern pastrohet e lahet, në rrugë dhe në trotuare. Dizinfektohet dhe higjienizohet. Porse kjo nuk ndodh as në Tiranë, as gjëkundi në Shqipëri. Ka makina të vogla që lajnë trotuaret dhe i dezinfektojnë nga jashtëqitjet e kafshëve-kafshë dhe “kafshëve-njerëz”, që “përmjerrin” ku mundin në mes të ish-Bllokut te qoshja e Vilës 31, 20 metra larg zyrave të Kuvendit të Shqipërisë. Tirana nuk ka banja publike dhe fluksi migrator ditor apo disa ditor e bën nevojën në natyrë, ku të mundi dhe ku ta zërë, madje dhe te pemët në lulishten përball Muzeumit Kombëtar. Ky nuk është qytet, ky nuk është modernitet, ky është “ku thërret qameti” po të përdorim një shprehje tipike tironse. Qyteti e krijon ritualin, por se edhe rituali e identifikon qytetin, si histori, si gjendje si perspektivë. Identiteti historik është përçudnuar, ndërsa dinamika e ndryshimit nuk po tregon se ka gjasa të ndërtojë një identitet të ri, modern dhe bashkëjetues me atë të vjetrin, tradicionalin dhe autoktonin, duke lidhur kështu në mënyrë harmonike të shkuarën me të sotmen dhe të ardhmen. Që kur lindën qytetet në Greqinë e lashtë dhe në Etruski që parapriu Romën e lashtë, kujdesi për të vdekurit ishte respekt, detyrim, kulturë, identitet dhe seriozitet për qytetin dhe drejtuesit e tyre. Nekropoli ishte pjesë integrale e qytetit. Tirana e vjetër e mbretërisë dhe e komunizmit kishte varreza publike serioze, jo moderne, por me funebritet dhe kujdes human. Varrezat tash e 25 vite janë një skandal më vete. Hapësirat e munguara për varre dhe mosdecentralizimi i këtij shërbimi ka bërë që varrezat e Sharrës dhe Shishtufinës të jenë mbipopulluar frikshëm. Brenda tyre nuk zbatohet as edhe një parametër, mortor apo human për t’i përcjellë, kujtuar e respektuar të ikurit denjësisht. Në Sharrë rruga është e mbushur me godina banimi, me lokale shërbimi ku shkruhet paturpësisht, “ofrojmë shërbime për fejesa, dasma dhe vdekje”. Ka godina të ulëta që ofrojnë shërbime për ndërtime varesh. Varreza publike ka ende disa qiparisa, por nuk ka heshtjen sublime. Radio dhe magnetofonët me rast dhe pa rast, buçasin me këngë e me valle dhe ti nuk ke as edhe mundësinë më të vogël të shprehesh atje, të flasësh me frymën. Sa ulesh të ndezësh qiriun, dëgjon “a ta pastrojë barin xhaxhi”, fjalë që vijnë nga goja e fëmijëve 10-12 vjeçarë. Atje nuk mund të vësh dot lule se i vjedhin. Nuk ka një stol ku të ulesh pa le më një çezme për ujë, apo shërbime kopshtarie. Më ka rënë rasti të vizitoj varrezat Bllaha Luisa në Budapest, mu në mes të qytetit. Një kopësht i lulëzuar, me pemë dhe qetësi pa fund. Me një çezme për dy varre dhe dy stola, me shërbim kopshtaria nga familjarët ose nga kopshtari. Kur hyn atje të duket se je në Nekropol, një qetësi biblike dhe një mundësi komunikimi e çmalljeje. Te ne ke frikë të shkosh në varreza, se vetëm pastrim shpirtëror nuk mund të gjesh. Të prishet gjaku me këtë indiferentizëm e barbari që na ka kapur. Përse nuk liberalizohet ky shërbim dhe të ketë dhe varreza private? Ndërsa shërbimet e funeraleve të dalin jashtë qytetit, si kudo në Europë. Në qytet ato të kenë vetëm një zyrë kontakti dhe jo si ndodh rëndom, që aty gjen dhe arkivolin dhe kurorën gati. Qytetari që kalon aty pari për punë e hall të vet, apo ai/ajo që është lënduar e plagosur dikur në jetë nga fatkeqësia; do apo s’do duhet do të shohë këto palo zyra që sillen si të pashpirta. “Funeral Business” si edhe titullohet një film shqiptar i periudhës së tranzicionit. Jashtë Shqipërisë, shërbimi funeral ka edhe dhoma morgue dhe janë jashtë qytetit. Shërbimet e tyre janë serioze dhe shumë dinjitoze, përfshirë edhe kujdesin për kufomën, si trajtim dhe vendosje në arkmort. Kur do bëhemi ne njëherë qytetarë seriozë të një vendi serioz, që më tej të quhemi shoqëri dhe vend modern? Dua t’i them kryetarit aktual të bashkisë dhe atij që do të vijë, dhe atyre që kanë qenë, pse në Tiranë nuk ka një sallë leximi apo bibliotekë multifunksionale të bashkisë? Edhe kur kompani private janë afruar për një investim të tillë gatishmëria dhe bashkëpunimi kanë munguar nga ana e Bashkisë së Tiranës. Kur Tirana do të ketë Teatrin Bashkiak, apo Galerinë e Arteve të Bashkisë? Kur do të kemi spitalin bashkiak dhe shërbim mjekësor që i afrohet si urgjencë qytetarit në mënyrë të decentralizuar e rajonizuar? Jashtë vendit e gjen shërbimin urgjent që lëviz edhe me motoçikletë dhe jo vetëm me makinë, e që këtu te ne nuk ka as korsinë e vet, por që t’i hapet rruga e zënë, makina e urgjencës i bie borisë në kupë të qiellit. Kur Tirana moderne do të ketë një “zoo park” dhe “flower park” ku mund të çlodhen qytetarët dhe luajnë e argëtohen fëmijët? Kur do të ketë kampuse për ushtrimin e sportit në natyrë? Kur do të kemi rrugë të ndriçuara normalisht? Sepse po të mos të ishin reklamat e lokaleve të shërbimit, qyteti do të dukej si i mallkuar nga errësira. Kur pusetat do të jenë me kapakë që të mos bien njerëzit e të thyhen në mes? Kur pallatet do të kenë panelet diellore për të shfrytëzuar energjinë diellore dhe jo energjinë elektrike për ujë të ngrohtë dhe në ditët me diell, që janë me aq bollëk në një vend me klimë mesdhetare si edhe është Shqipëria? Kur do të shpëtohet nga tymi që lëshohet nga djegiet për ngrohje në qytet, me dru apo me qymyr? BaP është një Hidrokarbon Polisiklik Aromatic (PAH) dhe është gjetur me shumicë në PM. Burimet kryesore të BaP në Europë janë ngrohjet shtëpiake, në veçanti nga druri dhe qymyri djegia e mbeturinave, prodhimi i koksit e çelikut dhe trafiku rrugor. Burime të tjera përfshijnë zjarret në natyrë dhe veshjen e gomave apo djegien e tyre në natyrë. Qyteti ynë as që është i shqetësuar për këtë problematikë ndaj modern nuk mund të jetë, por se që humbet çdo ditë, këtë fat e ka të siguruar. Kur Tirana do të ketë Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, të lidhur me Panairin e përvitshëm të Rajonit të Tiranës, me Muzeumin e Artizanatit dhe Etnokulturor të qytetit dhe zonës? Kur Tirana jonë e dashur do të ketë gazetën dhe revistën e vet? Kur kryeqyteti do të ketë ditën e vet të festës së qytetit? Kur? Më thoni ju lutem! Kur do të instalohet Konferenca Vjetore e Qytetit dhe referendumet elektronike që mundësojnë bashkëbisedimin mes qytetarëve dhe drejtuesve të qytetit? Kur do të rikthehet demokracia lokale në Tiranë dhe në qytetet e tjera, që këshilltarët bashkiakë të zgjidhen nominalisht nga zgjedhësit dhe jo si listë partie e më tej të krijojnë Këshillat Bashkiake me llogore të “partitizmit politik” bllokues, si edhe ka ndodhur që për muaj të të tërë, as edhe buxheti nuk aprovohej duke paralizuar jetën e qytetit?! Qyteti modern?! Tirana moderne?! Sa fjalë të bukura? Sa ideale të nevojshme, sa objektiva serioze, sa detyrime qytetare, përfshihen vetëm në atë fjalë “moderne”? Themeluesi i sociologjisë moderne Max Weber ka shkruar një libër serioz titulluar “Qyteti”. Nuk e di a është në kurrikulat e shkollës ky libër, qoftë edhe si libër plotësonjës? Porse në dritëshikimin tim do duhej të ishte. Qyteti është i qytetarëve. Qyteti nuk mund të privatizohet, as partizohet, ndryshe ai nuk është një ambient urban civil dhe ligjor ku jetohet dhe punohet dhe ku qytetari vendos e kontrollon përmes demokracisë në veprim që përmbledh votimin, revokimin dhe kontrollimin e pandërprerë; të gjithë jetën dhe veprimtarinë drejtuese në qytet. Në fund të librit Max Weber shkruan: “Të moshuarit dhe jo të rinjtë i jepnin tonin marrëdhënieve mes njerëzve. Politikën e përcaktonin arsyetimet racionale dhe jo etja për fitim apo eksitimi emocional i rinisë”. (Max Weber, “Qyteti” botimi shqip, faqe 162; shtëpia botuese “Fan Noli”). Në themelet e qyteteve e qytetërimeve, Apolloni i Antikitetit hidhte si ingredient lidhës muzikën. Ju hodhët dashin e bërë kurban zoti Basha. Ndryshim është i dukshëm. Moderniteti nuk ngjizet nga terrori! Historia vazhdon…!

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: