“Qytetnimi asht ma i fortë se krimi, po na vrasin duhet reagim”, është ky mesazhi i banderolës kryesore në marshim-protestën që ka nisur në Shkodër, 3 ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në këtë qytet, ku 3 persona humbën jetën si pasojë e një atentati mafioz.
Qytetarët që i janë bashkuar protestës kanë qëndruar në heshtje për disa minuta, ndërsa protesta është konsideruar si solidare nga përfaqësues të PD-së.
Bardh Spahia, ish-kryebashkiak i Shkodrës, duke folur për gazetarin Osman Stafa të News24 tha se ngjarja ka shkaktuar një traumë për të gjithë qytetin, një shok për të gjithë opinionin publik.
“Është e trishtueshme që opinioni publik shkodran jo vetëm gjendet nën thundrën e krimit të organizuar, por gjenden edhe pa mbështetjen e strukturave të shtetit, që na dalin të lidhura me krimin. Masakra të tilla nuk mund të ndodhin pa përfshirjen e strukturave shtetërore. Ka pasur një ngjarje të nderë, që ka ndikuar në situatën e qytetarëve”, tha Spahia.
(BalkanWeb)