Nga: JETON SELIMI *
I ardhur në muajt e verës pa shumë bujë, Stevan Raçiç u prit me skepticizëm nga tifozëria e kuqe. Me një CV jo për t’u pasur zili, shtatlarti serb (193 cm), shikohej si njeriu që do të vendoste në eficencë mekanizmat sulmuese të Shpëtim Duros. Ndonëse nuk erdhi si një goleador i mirëfilltë, Raçiç është kryegolashënuesi i të kuqve me 11 gola, ndërsa mban vendin e dytë në renditjen e përgjithshme, pas stratosferikut Pero Pejiç që ka shënuar 24 herë në 29 takime. “Ndihem shumë i lumtur me formën time dhe natyrisht me golat që jam duke realizuar, pasi kjo është puna. Objektivi im është që të ndihmoj Partizanin në objektivin final që ka për fitimin e titullit kampion. Golin e fundit ndaj Apolonisë ua dedikoj të gjithë tifozëve që na kanë mbështetur në çdo takim, por edhe shokëve të ekipit dhe drejtuesve. Të gjithë jemi duke dhënë maksimumin për këtë skuadër dhe shpresoj që të arrijmë të fitojmë titullin”. Dhe pikërisht titulli, ajo fjala e harruar nga tifozëria e Partizanit që në vitin e largët 1993 kalon nga transferta e vështirë e Korçës, ku përballë Partizani do të përballet me Skënderbeun, që është në luftë për titullin e pestë radhazi. Takimi paraqitet delikat, por me Raçiçin që ka shënuar 4 gola në 5 takime, tashmë tifozët kanë nisur të besojnë, ndërsa serbi u bën thirrje për mbështetje masive ditën e hënë. “Jemi dy pikë larg kreut edhe kjo është një gjë e mirë, por duhet të përqendrohemi, pasi në vijim kemi edhe ndeshje mjaft të vështira. Luajmë në Korçë ndaj Skënderbeut në një takim delikat dhe mund të them pa dyshimin më të vogël se nëse arrijmë të fitojmë në këtë ndeshje, titulli është i Partizanit. Kështu që të gjithë së bashku me tifozët udhëtojmë drejt Korçës për të marrë fitoren e radhës”.
Pejiç
Në një kampionat ku është e vështirë të bësh parashikime dhe ku titulli duket se do të vendoset në 90 minutat e fundit, i vetmi i fituar deri tani është Pero Pejiç, që ashtu si një vit më parë bëhet gati të mbathë “Këpucën e Artë” të goleadorit. Sulmuesi i Kukësit, me dy golat e shënuar ndaj Elbasanit dhe 24 në total në 29 javë kampionat, pothuajse ka zyrtarizuar trofeun e tij personal, pasi ndjekësi më i afërt Stevan Raçiç i Partizanit shfaqet shumë i shkëputur në garën për golashënuesin. Pejiç dhe goli në fakt në këtë sezon duket sikur ka qenë binjaku i golit, sidomos ndaj Elbasanit, që e ka viktimën e tij të preferuar, teksa i ka realizuar plot tetë herë në katër ndeshje, me një mesatare prej 2 golash për sfidë. Në fakt, nëse do t’u hidhnim një dhe statistikave, vetëm Pejiç te Kukësi ka shënuar më shumë se tërë pjesa tjetër e skuadrës, duke realizuar 24 nga 47 golat e verilindorëve. Gjithashtu, nga 61 pikë që ka Kukësi në renditje, 40 i ka vetëm falë golave të Pejiçit, që përjashto golat ndaj Flamurtarit dhe Elbasanit në fazën e parë ka qenë gjithmonë vendimtar me realizimet e tij.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb