Viti 2019 dhe skandale të tilla vijojnë të ndodhin, sidomos kur sheh që objekt racizmi të shndërrohet dhe “Mbretëresha e Sporteve”, atletika e lehtë. Ngjarja e paprecedent ka ndodhur në Trieste, kur në prag të gjysmëmaratonës, organizatorët kanë dalë kundër atletëve nga Afrika, teksa kanë theksuar se në këtë edicion do të pranohen vetëm atletë europianë.

“Këtë vit kemi vendosur që të pranojmë vetëm atletë europianë dhe presim që të merren masat kundër fluksit të pakontrolluar të atletëve afrikanë, sepse këta atletë të një cilësie të lartë shfrytëzohen nga menaxherët dhe kjo nuk është në të mirë të dinjitetit të tyre,” thotë Fabio Karini, përfaqësues i Apd Miramar, që organizon “Trieste Running Festival”.

Një vendim i çuditshëm ky, që kërkon të gjejë alibinë të tipit “mund të regjistrohen të gjithë, por pagesat ua japim kujt të duam ne”. Reagimet kanë qenë të shumta, së pari nga politika, me Kristiano Shaurlin, përfaqësues i PD, që theksoi “se këto motivacione që kanë një shije hipokrizie, po bëjnë që Friuli të rinisë aparteidin në sport”.

Nuk ka heshtur as Federata Italiane e Atletikës së Lehtë (FIDAL), me sekretarin e përgjithshëm Fabio Paljiara, që në profilin e tij në Facebook shkruan: “Do të jemi shumë të vëmendshëm në këtë çështje duke verifikuar detajet dhe motivacionin”.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb