Nga: JETON SELIMI*
Miodrag Radanoviç është emri që do të drejtojë nga tani e tutje Kukësin, pas shkarkimit të Artim Shaqirit. Drejtori Teknik i verilindorëve, që iu bashkua skuadrës rreth një muaj më parë, është caktuar nga presidenti Gjici si trajneri i ri, duke pasur mundësi të jetë dhe i pari që do të fitojë një trofe me këtë klub, me Kukësin, që më 30 maj do të luajë në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Laçit. 68-vjeçari për “Supersport” zbuloi se ishte vetë presidenti që i kërkoi të pranonte detyrën e re, të cilën ai premton se do ta bëjë me mjaft përkushtim. “Presidenti Gjici më komunikoi të ndryshoja pozicion, nga Drejtor Teknik të merrja përsipër rolin e trajnerit dhe e pranova ofertën e tij sepse unë jam i çmendur pas futbollit dhe jam gjithashtu gati për ta mbuluar më së miri këtë detyrë. Koha do të tregojë nëse do të jem i suksesshëm ose jo, por unë besoj se do të jem i suksesshëm”. Gjatë këtij muaji, Radanovic ka qenë pranë futbollit shqiptar dhe ai pranon se ka arritur të krijojë një përshtypje për lojën në vendin tonë dhe për skuadrën e Kukësit mbi të gjitha. Duke folur për ndeshjen e fundit me Skënderbeun, ai deklaron se ekipit i mungoi mbi të gjitha qetësia. “Jam këtu prej një muaji dhe e kam krijuar një përshtypje për futbollin shqiptar e mbi të gjitha për Kukësin, të cilin mendoj se e kam ndihmuar jo pak me analizat e mia. Skuadra këto kohë ka qenë nën presionin e rezultatit dhe fakti që kemi pasur një grup që kurrë nuk ishte shpallur kampion nuk e ka bërë ekipin të jetë i qetë. Ndaj Skënderbeut lojtarët nuk përballuan dot nervozizmin dhe të gjithë e pamë që atë ndeshje e humbëm pikërisht prej mungesës së qetësisë. Më vjen keq që ndodhi kështu, sepse e di që ky titull do të thoshte shumë për të gjithë, nga presidenti e deri te tifozët”. Por sa kohë do të qëndrojë në stol Radanoviç dhe a do të ishte ai dakord nëse vitin e ardhshëm vendin e tij do ta zinte Gvozdenoviç. “Nëse Gvozdenoviç do të bëhej trajner në të ardhmen, do të isha OK, madje do të ndihesha i lumtur, por për momentin duhet të mendojmë për atë që na pret në mbyllje të këtij sezoni. Pastaj unë kam ardhur këtu që të ndihmoj Gvozdenoviçin që të bëhet një trajner i mirë”. Cilat do të jenë tashmë objektivat e Kukësit në merkaton për sezonin e ardhshëm dhe si mendon Radanoviç të përforcojë ekipin. “I rëndësishëm do të jetë afrimi i lojtarëve që kanë fituar më parë titullin kampion, por gjithashtu, edhe i futbollistëve të talentuar, me të cilët do të punojmë. Gjithsesi, duhet të bisedojmë dhe me presidentin. Nëse do të kemi mbështetjen e tij, gjërat do të jenë më të thjeshta”. Ndeshja e parë e Radanoviç si trajner do të jetë këtë fundjavë përpara publikut të tij, me Kukësin që do të presë në shtëpi Apoloninë.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb