TIRANE – Zyrat e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit në të gjithë vendin janë përballur që në orët e para të mëngjesit me fluks të lartë kërkesash për regjistrim. Aksioni anti-informalitet ka dhënë efekte që në ditën e parë të tij, pasi bizneset e papajisura me dokumentacionin konform ligjit kanë zgjedhur të ulin qepenat. Qendra Kombëtare e Regjistrimit është aktualisht institucioni më i dyndur publik, ku pas paralajmërimeve të qeverisë se do të ndëshkojë evazorët, mijëra biznese kanë nxituar të ligjërojnë aktivitetin. Ndërkohë që drejtoresha Vasilika Vjero thotë se në dy muajt e fundit regjistrimet janë rritur me disa herë. “Vetëm në këtë periudhë janë regjistruar mbi 6.800 biznese, ose 3.7 herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2014. Ndërsa vetëm në gusht janë regjistruar 4.800 biznese, ose 6.8 herë më shumë se gushti i vitit të kaluar. Vërejmë se për muajin gusht, krahasuar me vitin e kaluar, ka një rritje tri herë më të madhe. Kemi fenomenin e riaktivizimit, që do të thotë se shumë biznese, ndonëse kishin deklaruar falimentimin e aktivitetit, në terren kanë qenë duke e ushtruar atë”, thotë Vjero. Gjithashtu, edhe kompanitë që tregtojnë kasa fiskale thonë se po përballen me një fluks të paprecedentë kërkesash. “Fluksi i një dite në ditët e fundit mund të barazohet me fluksin e një muaji të muajve të mëparshëm”, nënvizon drejtoresha e QKR-së. “Paraqiten klientë që aplikojnë për kasa, kryesisht biznese të reja, por ka edhe përfaqësues të bizneseve të mëparshme që nuk e kanë përdorur asnjëherë kasën dhe tani janë paraqitur për të bërë zhbllokimin e saj”, pohon Vjero.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: