TIRANE- Për të marrë një certifikatë apo për të bërë një ankesë në Zyrën e Pritjes së Popullit në Bashkinë e Tiranës të duhen minimalisht dy orë pritje. Veç asaj, prej vitesh në këtë zyrë nuk funksionon aparatura, e cila pajis qytetarët me numrin përkatës për të mbajtur radhë. Gjë kjo, që shpeshherë shkakton edhe përplasje mes qytetarëve që presin në radhë. Punonjëset e kësaj zyre shprehen se e vetmja mundësi për të mbajtur radhë është që qytetarët të fiksojnë personat që kanë përpara.

“Aparatura që lëshonte numrat rendor për të mbajtur radhën ka vite që nuk punon, 5-6 vjet po. Njerëzit mërziten dhe i ngrenë zërin njëri-tjetrit për radhën, por nuk kemi çfarë të bëjmë. Duhet të tregojnë qytetari mes tyre. Na kanë thënë se kjo zyrë do tjetërsohet, do bëhet një rikonstruksion për përmi-rësimin e ambienteve, por nuk e dimë se kur”, shprehet njëra prej punonjësve. Ndërkohë që qytetarët shprehin pakënaqësi, pasi sipas tyre, sportelet bllokohen dhe ata duhet të rrinë me orë të tëra në radhë.

“Kam më shumë se dy orë që pres për të marrë një certifikatë të babait, pasi i kanë bërë ngatërresë në mbiemër dhe vetëm këtu mund ta marr certifikatën e saktë. Por, radha zihet sepse nuk do bëjmë llafe me të gjithë ata që hynë pa radhë, pasi nuk ka asnjë mënyrë si të vihet rregull. Zgjidhja që të japin punonjëset e sporteleve është që të fiksojmë fytyrat e personave që janë para, sepse nuk kanë mënyrë tjetër. Por 20 veta nuk i fiksoj dot”, shprehet një qytetare.

Ndërkohë që shumë persona të tjerë mbajnë radhë nëpër sportelet e urbanistikës, por sipas tyre aty radha është edhe më e gjatë, pasi janë vetëm dy sportele. Ndërkohë që ka edhe qytetarë që duan të bëjnë ankesa për mungesë shërbimesh në zonat ku ata jetojnë. Kryesisht mospastrimi i rrugëve dhe largimi i mbetjeve urbane. Ndërkohë që shumë të tjerë presin në radhë për të plotësuar formularët e strehimit.

(el.sp/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb