TIRANË- Tirana zyrtare ka reaguar pas lëshimit të një tjetre rakete nga Koreja e Veriut mbi Japoni.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë dënon në termat më të ashpër lëshimin e një rakete balistike me rreze të mesme të kryer sot nga Republika Popullore Demokratike e Koresë.

“Kjo shkelje e hapur, e përsëritur, e të drejtës ndërkombëtare dhe e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së tregon se regjimi koreanoverior është i vendosur të vazhdojë të sfidojë komunitetin ndërkombëtar duke përshkallëzuar më tej tensionin në rajon dhe kërcënuar në mënyrë serioze sigurinë globale”, thuhet në një njoftim për shtyp të MPJ-së.

Qeveria shqiptare i bën thirrje RDPK të ndalojë menjëherë provokimet dhe të kthehet në tryezën e bisedimeve si rruga e vetme për një zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme në gadishullin korean.​

Ushtria e Koresë së Jugut dhe qeveria japonezë thanë se Koreja e Veriut lëshoi një raketë të paidentifikuar nga qarku Sunan në kryeqytetin e saj Phenian e cila fluturoi mbi rajonin Hokkaido në veri të Japonisë dhe ra në Oqeanin paqësor.

Raketa ra rreth 2 mijë kilometra në lindje Hokkaidos, u tha gazetarëve në një takime të organizuar me ngut, shefi i kabinetit japonez Yoshihide Suga.

“Këto provokime të përsëritura nga ana e Koresë së Veriut janë të papranueshme dhe ne protestojmë me fjalët më të forta,” tha Suga.

Raketa, sipas ushtarakëve të Koresë së Jugut, fluturoi rreth 3 mijë e 700 kilometra, mjaftueshëm për të arritur në Guam, territor i Shteteve të Bashkuara në paqësor.

Presidenti amerikan, Donald Trump është informuar për këtë veprim të Koresë së veriut.

Lëshimi i raketës ndodhi një ditë pasi që Koreja e Veriut u kërcënua të fundosë Japoninë dhe do t’i bëj “hi” Shtetet e Bashkuara për shkak të mbështetjes së rezolutës së Këshillit të Sigurimit për të vendosur sanksione të reja ndaj saj për shkak të provës bërthamore të 3 shtatorit, më të fuqishmen deri tash.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet të premten me kërkesë të Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb