Presidenti ukrainas Volodymir Zelenskyy për disa muaj rresht iu është lutur shteteve të Perëndimit, që t’i japin të drejtë, që të përdorë raketat e tyre me rreze të gjatë veprimi për të sulmuar thellë brenda territorit të Rusisë.

Kur dukej se Zelenskyyt më në fund po i realizohej ajo ç’ka donte, në sfond ka dalë një pengesë serioze. Gjermania ka lajmëruar këtë të diel se nuk do ta lejojë Ukrainën që të nisë sulme me armë gjermane thellë në territorin rus, edhe nëse vendet e tjera perëndimore vendosin ndryshe. Një deklaratë të tillë e ka bërë vetë kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.

Gjatë një fjalimi në Bundestag, Scholz tha se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën, por vuri në dukje se mbetet kundër idesë që Kievi të përdorë armë gjermane me rreze të gjata veprimi për të sulmuar objektivat në Rusi. Kancelari u shpreh se mbetet në këtë pozicion, edhe nëse vendet e tjera të Perëndimit vendosin ndryshe.

Kohët e fundit, ka pasur bisedime për të hequr kufizimet për përdorimin e armëve dhe SHBA e Britania e Madhe kanë qenë parimisht dakord që të përdoren armët e këtij lloji. Por, ky vendim i Gjermanisë mund të impaktojë edhe SHBA-në dhe Britaninë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb