TIRANË-Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje prokurorisë të hetojë mbi institucionet që nuk kanë derdhur kontributet financiare për pensionet të punonjësve. Në një konferencë mbi pensionet në kryeministri, Rama specifikoi se janë 1 600 institucione shtetërore dhe private që kanë gënjyer punonjësit duke iu mbajtur kontributet për pension, por në arkën e shtetit nuk kanë derdhur asnjë lek.



Kryeministri garantoi se ministritë përkatëse po bëjnë cdo verifikim të duhur për të zbardhur këtë skandal.
“Sot Shqipëria dhe shqiptarët prej disa ditësh kanë dëgjuar një lajm, që do të kishte tronditur cdo vend të botës. Lajmin se në sistemin e sigurimeve tona, u janë marrë paratë e kontributeve për pensionet mijëra e mijëra nëpunësve të këtij shteti, mijëra e mijrëa punonjësve në sektorin privat të cilët sot marrin vesh që ndërkohë që u është thënë se pensioni e kanë të sigurt, kontributet që u janë mbajtur u janë çuar në drejtim tjetër. Sigurisht se kjo nuk kërcënon pensionin e këtyre njerëzve, dhe kjo gjysma e të keqes, por ky është kërcënim real për sistemin tonë”.


“Ne nuk do ti ndahemi as atyre të cilët kanë abuzuar, dhe ministria ka ngritur grupin e vet të posacëm për të depozituar të gjitha të dhënat dhe prokuroria do të hetojë dhe duhet të hetojë në mënyrë të imtësishme në të gjitha nivelet e natyrës së kësaj dhe gjithë grabitjeve”
Kryeministri u bëri thirrje bizneseve të paguajnë menjëherë kontributet dhe borxhet dhe të mos trajtojnë punonjësin si skllevër.
“U bëj thirrje të gjithë sipërmarrësve që janë të listuar dhe që sot e gjithë ditën vazhdojnë të paguajnë punonjës në të zezë dhe rezultojnë debitorë me miliona dollarë të vrapojnë të paguajnë borxhet, që ju kanë punonjësve të tyre, të cilët kanë detyrimin t’u japin rrogën e t’u sigurojnë pensioni se nuk i kanë skllevër. Kjo qeveri u jap siguri qytetarëve nuk do tërhiqet nga asnjë front beteje”

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi një aksion si ai i energjisë elektrike për të mbushur gropën që ka lënë qeveria e kaluar me kontributet e punonjësve të administratës, të cilëve u është thënë se kontributet u janë paguar, ndërkohë që në arkën e shtetit mungojnë.

Rama e krahasoi gropën e lënë nga qeveria e shkuar në fushën e pensioneve të njëjtë me atë të Sudes dhe Vefës në vitin 1997. “Kjo është një nga reformat më të rëndësishme, më themelore të Shqipërisë së pasrënies së regjimit komunist. Qeveria e kaluar zgjidhte mënyrën më hipokrite me raportin e vet me pensionistët duke ua shitur disa rritje të pensioneve si fryt të një suksesi të madh të Shqipërisë vend i zhvilluar. Ndërkohë që prapa shpinës së pensionsitëve dhe në rrugën e gjithë atyre që ishin drejt pensionit hapi vit pas viti një gropë të madhe ku ishim kërcënuar të binim si shtet, njësoj siç ramë si shtet në gropën e madhe të hapur nga rënia e piramidave Sude, Vebiu, etj”, deklaroi më tej kreu i qeverisë.
Sipas tij “më mjafton një shembull, inspektorët e punës, nëpunësit e inspektoratit të paguar nga taksat e shqiptarëve dhe të angazhuar nga shteti për të kontrolluar mbarëvajtjen në funksion të mbledhjes së sigurimeve shoqërore, vetë janë të pasiguruar”.

Kryeministri e quajti kurajoze skemën e re të pensioneve, ndërsa shprehu keqardhjen e shtyrjes së saj në 20 vite, me pretendimin, “pas nesh të bëhet qameti”.

“Skema kurajoze e shtyrë prej 20 vitesh, thoshin lërja tjetrit se nuk na duhet, se na hapen probleme, iu hapen probleme për pushtetin, qytetarët më mirë i vënë në gjumë me suksese imagjinare dhe duke ua hapur gropën pas shpine. Pra thoshin pas meje të bëhet qameti. Ky është dallimi ynë themelor. Ne nuk qeverisim me moton pas nesh, bëhet qameti po për t’ja kthyer pushtetin qytetarëve që me votat e pensionistëve të bëjmë këtë reformë, të sigurojmë që qytetarët me paga të mesme e të lartë të mos paguajnë kontribute deri në 5 fishin e atyre me paga të ulëta, e pastaj t’ju kthehet në dyfish më të lartë se ata me rroga të ulëta, si mund të paguajë dikush 5-fishin dhe kur të marrë pension të ketë pak më shumë se ai tjetri. Nuk paguan për vete por për gjithë këtë skemë mashtrimi pas shpine”, tha Rama.

Duke u ndalur tek një rast konkret, Rama tha se, “Këtë vit në moshë pensioni janë 5 mijë persona, po ta ta shtynim skemën në 2015 do fillonte për këta 5 mijë gra dhe burra pa asnjë kokërr leku, për shkak se nuk plotësonin vitet e kontributeve. Këta mund të mbeteshin me asgjë, por sot marrin pension social, nuk është shumë, por është më shumë se asgjëja në plan financiar e moral, që të mos ndjeheshin të braktisur tërësisht si të vdekur, të pakallur”.

Ndërsa duke folur për rritjen e moshës së pensionit, Rama shtoi se, “Ata që dalin këtë vit në pension, iu rritet mosha vetëm 2 muaj, efekti i skemës fillon të ndjehet tek ata që sot janë 30 vjec në vitin 2032”.

Më tej kryeministri tha se po negociohet me shumë vende të huaja ku ka emigrantë shqiptarë, që këtyre të fundit t’ju njihen vitet e punës në këto shtete. Pra të marrin pension për punën e bërë edhe atje edhe këtu në Shqipëri.

“Skemë pensionesh për emigrantët me Kanadanë dhe Italinë. Për gjithë vitet që kanë punuar në Itali do marrin pension italian dhe për vitet në Shqipëri pjesë tjetër, mesatarja do jetë një pension i mirë. Përfytyroni çfarë sjell kjo për dekadën e ardhshme. Ju i doni sot, por sot në Tiranë vjen ministri federal nga Gjermania për të diskutuar për këtë çështje, jemi angazhuar ta mbyllin këtë problem edhe për shqiptarët që jetojnë në Gjermani. Do të mund të qetësohen se për çdo ditë pune që kanë bërë atje do të marrin pension gjerman”, shtoi ai.

(d.b/m.a/BalkanWeb)