TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka qenë entuziast gjatë takimit me banorët e Librazhdit por një pjesë të mirë të fjalimit ia ka kushtuar opozitës dhe kreut të saj Lulzim Basha.
Ai vuri në lojë protestuesit e opozitës duke i cilësuar ata bastexhinj. Rama tha se ndihmën ekonomike e linin nëpër baste. Kreu i qeverisë nuk mohoi ekzistencën ende të basteve online por tha se do ketë dënime për ata që i organizojnë.

“Hipin nëpër pemë, keni parë ju me tjetër lloj soj që të detyrohesh të lyesh shtyllat me graso që të mos hipin nëpër shtylla. Çfarë bëjnë. Mirë që nuk vijnë këtu, se këtu s’kanë, janë me kokrra. janë dhe si të trullosur nga bastet, se janë mbyllur dhe bastet se do i kishin sakatuar këto pemët e reja që janë mbjellë. 16 pika bastesh këtu në Librazhd, futu e merr e lej. Merr ndihmën ekonomike në fillim të rrugës, lërja Ronaldos në fund të rrugës.
Unë e di që ka akoma probleme me ata që lozin online dhe organizojnë lodra. Online e ka problem gjithë bota, ama sot ka ardhur koha të marrim disa masa të reja me kodin penal. Kush organizon, të shkojë në burg. Nuk ka më ‘kape, thirre, do bëhem çun i mirë, dil e organizo prapë’. Kush organizon në një vend të ndalur të shkojë në burg. Dhe për ndezjen e zjarreve do ketë masa”, deklaroi Rama.

Më pas ai kujtoi episodet e opozitës në parlament dhe vezët ndaj tij, duke thënë se vezët i kishte fshehur kreu i PD Lulzim Basha.
“Vjen kryetari i opozitës futet në sallë me pallto, një pallto të madhe. Unë thashë do jetë sëmurë, do ketë ndonjë të ftohme. Ai ishte plot me vezë se është rregull që nuk kontrollet kryetari i opozitës. Dhe duhet të mërzitemi ne pse ikën këta nga parlamenti. Po të ikin, madje ikën vonë… në rrugë le të rrinë”, deklaroi Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: