Deputeti demokrat Lefter Maliqi gjatë fjalës së tij në parlament tha se Rama bën vetëm parodi në parlament, ndërsa shtoi se Shqipëria ka nevojë për ndryshim të Kodit Zgjedhor e vettingu në politikë.  Maliqi nënvizon se këta dy ligje do të bënin ndryshimin në vend.

“Nuk duhet të jemi sot në festë. CDU tha se Shqipëria ka probleme me korrupsionin, për dosjet e përgjimit si dhe për peshqit e mëdhenj, sepse ne këtu tani kemi ngelur shumë pak, do të thotë se këtu jemi peshqit e vegjël, peshqit e mëdhenj kanë dalë jashtë. I thashë dhe Kryeprokurores së Shqipërisë, janë mbushur burgjet me njerëz që janë kapur me 30 gramë drogë, për vjedhje energjie, për vepra të ulëta, ndërkohë që kriminelët, grupet, oligarkët, ish-ministra dhe ministra, politikanë të lidhur me këta oligarkë, vazhdojnë ta degdisin vendin në gjendje të keqe.

Kryeministri më mirë mos të vinte. Erdhi këtu i futi një paradë, e dëgjuan shqiptarët me xhepat dhe lugët bosh, e dëgjuan socialistët e ndershëm dhe të zhgënjyer. E dëgjuan edhe opozitarët rrugorë, siç thotë Nuk dua të bëj avokatin e Partisë Demokratike, por dua të them se në kohën e PD shtroheshin rrugët edhe në zona rurale, ndërsa ka 6 vjet që nuk është bërë asgjë nëpër rrugët rurale të Shqipërisë, për shkak edhe të reformës territoriale të korruptuar.  Edhe te Rruga e Kombit, vunë taksa duke rrjepur kosovarët, kështu edhe në rrugën për Elbasan, ndërsa po të ishte Sali Berisha në pushtet, do të kishte bërë edhe Rrugën e Arbrit.

Nëse duan të ndryshojnë Shqipërinë, duhet të miratohen dy ligje. E para Kodi Zgjedhor. Nëse këta duan që ta ndryshojnë Kodin Zgjedhor, e bëjnë sistemin maxhoritar të ndarë në 100 zona të pastër e me lista të hapura dhe do shikoni se gjysma e këtyre që janë në pushtet nuk do dalin dot as deputetë. Por nëse vazhdoni që të miratoni se çfarë thonë këta me 2 të tretat e votave, atëherë kemi këtë katandisje që ka ndodhur e po ndodh.

E dyta, vettingu në politikë. E dini se po të bëhet vettingu në politikë, pjesa më e madhe e deputetëve, ish-deputetëve, ministrave, ish-ministra\ve, nuk bëhen më as deputetë, as politikanë, nuk kalojnë dot vettingun. Por këta bëjnë vetëm vetting me policinë me 400 euro pagë. Të gjithë këta që bëjnë, janë vetëm për të mbrojtur njëri-tjetrin”, tha Maliqi.

Lefter Maliqi theksoi se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, ndërsa theksoi se në vend duhet ndryshuar Kodi Zgjedhor, sistemi zgjedhor në mënyrë që në parlament të shkojë në deputetë që e meritojnë. Maliqi tha se deputetët e ministrat “rilindas” emërohen nga oligarkë, ndërsa u shpreh se një socialist për pak desh vrau veten, pasi socialistët e ndershëm po humbin përditë.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb