Vijon të thellohet përplasja mes kryeministrit në largim të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama, teksa ky i fundit paralajmëroi padi për homologun e tij, me pretendimin se ka shpifur lidhur me deklaratat për shkëmbim territoresh.

Këshilltarja e kryeministrit Haradinaj, Meliza Haradinaj, ka bërë një reagim të fortë në “Facebook” mbi kryeministrin Rama, teksa ka shkruar se kur ishte në Samitin e Berlinit ai bënte veprime për të rënë në sy, pavarësisht se kishte veshur patika. Më tej, ajo ka sqaruar skenat në Berlin, kur Rama dhe Hashim Thaçi i kishin bërë presion Haradinajt të hiqte taksën ndaj Serbisë.

“Më pas vazhdoi pa ndonjë rol, duke ofsharë nëpër hollet e katit të 5të, e duke bërë gjestikulacione joserioze për një kryeministër për të shfaqur pakënaqësinë e tij për mungesë vëmendjeje, edhepse me mbathje atraktive. E vërteta është një, si privatisht, ashtu edhe publikisht: që Kosova nuk është mall as tokë që mund të shkëmbehet nga tregtarë aksidental!”, ka shkruar këshilltarja e Haradinajt.

Edi Rama kërcënoi Haradinajn se do ta padisë për shkak se akuzës së bashkë me Thaçin dhe Aleksander Vuçiç kishin planifikuar shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ramush Haradinaj tha se qëndron prapa fjalëve të tij se Rama, Thaçi dhe Vucic kishin plane të tilla kundër Kosovës.

Reagimi i Meliza Haradinajt:

JA E VËRTETA E RAMËS

Domosdoshmëria e zgjidhjes së nyjes Kosovë – Serbi, nuk i jep rol paternalist Edi Ramës që të imponohet si ndërmjetësues. Megjithatë, ai provoi këtë rol edhe në diskutimet informale në Berlin, duke u afruar pa ftesë tek tavolina ku kancelarja Merkel dhe presidenti Macron i ftoi për pije liderët e Kosovës dhe Serbisë. KM Rama ‘kërcente’ në diskutimet që filluan aty – pa rend e pa respekt ndaj diskutuesve. Dikur filloi të kapte Presidentin Thaçi për krahu, duke tentuar ta tërhiqte më larg kryeministrit Haradinaj, për të gjetur një bashkëbisedues për dokrrat e tij gjeopolitike që si dëgjonte kush.

Dikur kur u bind që Kosova ka lider që zëshëm dhe logjikshëm e argumenton realitetin e Kosovës, dhe atë madje edhe në anglisht edhe në frëngjisht, u spostua në kolltuqet anash hollit të Zyres së Kancelares, duke pozuar para fotoaparatit të Ministrit të tij në detyrë. Më pas vazhdoi pa ndonjë rol, duke ofsharë nëpër hollet e katit të 5të, e duke bërë gjestikulacione joserioze për një kryeministër për të shfaqur pakënaqësinë e tij për mungesë vëmendjeje, edhe pse me mbathje atraktive.

Në fakt, do të ishte shumë më mirë nëse Rama do preokupohej me rrugën eurointegruese të Shqipërisë, e mos të humbte kohën e mundësinë duke fshehë dështimet e tij qeverisëse prapa këshillave ‘kreative’ që ia jepte Kryeministrit Haradinaj se si të zgjidhej çështja Kosovë – Serbi, apo si të veprohej me taksën 100%.

E vërteta është një, si privatisht, ashtu edhe publikisht: që Kosova nuk është mall as tokë që mund të shkëmbehet nga tregtarë aksidental!

Veprimet specifike të shqiptarëve që i përgjigjen agjendës serbe, do të kenë kualifikim të veçantë në historinë kombëtare… e kjo s’është punë e kësaj gjenerate! Ma thuani cilit shqiptar i duhet ‘e vërteta’ e Ramës me dëshmitar Vuqiqin e Thaçin?!

Melizaaa
Melizaaa

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb