Në një takim elektoral në Lushnje, kryeministri Edi Rama sqaroi edhe njëherë arsyen pse PS ngul këmbë që zgjedhejt të mbahen më 30 qershor.

“Çfarë problemi kam unë kur shumicën e kemi solide. Në pushtetin vendor ne kemi drejtimin e 75% të territorit. Po të ishte për mua do isha për një zgjidhje politike të menjëhershme. S’doni ju zgjedhje? Mirë kur të doni ju…Por pse këmbëngul unë? Të marr të gjitha bashkitë? Po të doja pushtet me një ngjyrë e kisha bërë edhe më parë. Por nëse lëmë 30 qershorin kemi lënë të ardhmen, kemi pranuar se: E para, zgjedhjet nuk janë më çështje e popullit, por pjesë e lojës së politikanëve, e dyta nesër çdo parti mund të thotë nuk i dua zgjedhjet”,- tha ai.

Rama ironizoi nga Lushnja edhe deklaratën e Presidentit Meta se ishte informuar nga agjensi ligjzbatuese brenda e jashtë vendit se më 8 qershor mund të kishte akte dhunë në protestë.
“Thotë mora informacion nga shërbimet sekrete ligjzbatuese, jo mo jo, nga fallxhorja që i tregon filxhan, shiko se po të del një gjarpër që do bëhet në formë tete e po të ha. Ilir Meta thotë ka frikë nga konflikti civil se dhe ai përmend 97, po kush i ka humbur këtu paratë e gjakut dhe djersës? Askush. Në ‘97 humbi gjithë populli. Sot i fryjnë konfliktit ata që s’duan të humbin nesër”,- tha Rama.

Sipas Ramës, në protestë kundër qeverisë së tij nuk janë shumë njerëz, por 4 figura politike, Lulzim Basha, Monika Kryemadhi, Sali Berisha dhe Ilir Meta.

Sa për Berishën, ai tha se, “Të jeni të sigurt se më gjumë në sy nuk vë dot ai që i trembet si djalli temjanit reformës në drejtësi dhe i katërti doli vetë siç del zakonisht në këto rast me zë dhe figurë, bëri atë shfajqje për të ardhur keq…A mund ta thoni çfarë borxhi i kemi një njeriu që pa mbushur 50 vjeç është bërë kryetar partike, kryeministër e presidenti e nuk e zë vendi pa futur shkopinj nën rrota e pa hedhur gurin e fshehur dorën, e në fund doli vetë edhe gur edhe dorë”.

I bindur për zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor, Rama shtoi se, “ Mbas 30 qershorit kokat e kuçedrës do hanë njëra-tjetrën”.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: