TIRANË – Biznesmenët shqiptarë i pret burgu në rast se atyre iu gjendet qoftë edhe një punonjës i pasiguruar apo nëse rezultojnë se i janë shmangur tatimeve për të dytën herë. Këtë njoftim e ka dhënë sot vetë kreu i Qeverisë, Edi Rama, duke prezantuar ndryshimin që po i bëhet ligjit përkatës.

Sot, në Konventën e Shërbimeve Sociale, Rama tha shprehimisht: “Në gjuhën e botës normale, puna në të zezë konsiderohet absolutisht, veprimtari e dënueshme penalisht. Për këtë arsye, në ndërhyrjen e re që ne po bëjmë në legjislacion, qoftë shmangia e përsëritur nga Tatimet, qoftë dhe gjetja e përsëritur e një punonjësi në të zezë në një biznes, do të jetë e barabartë me ndjekjen penale dhe çuarjen prapa hekurave të personit përkatës apo drejtuesit të kompanisë përkatëse dhe nuk mund të vazhdojmë me historinë e shmangieve e pafund dhe skllavërimit zinxhir, që e kemi të pranishëm në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Rama e hapi këtë temë ndërsa hodhi poshtë pretendimet e opozitës për papunësinë në rritje në vend. “Janë 81 mijë e 352 të punësuar, – tha Kryeministri – një pjesë të punësuar rishtaz dhe të tjerë të shpëtuar nga kthetrat e skllavërisë në të zezë, – shifër e konsiderueshme kjo që tregon se ka hapësirë për të zgjeruar bazën e punësimit.

Kam dëgjuar shumë cinikë që thonë “jo, s’janë hapur vende pune, jo, këto s’janë vende pune, po ç’është kjo punë etj.” Po fakti është se janë 81 mijë e 352 të punësuar të rinj, të regjistruar në librat e llogarive të këtij vendi – qoftë në sektorin publik, qoftë në sektorin privat – dhe në gjuhën e botës normale, këto quhen vende pune.”

NE OSHEE, EDHE ZVICERIANET DO TE KORRUPTOHESHIN

Gjatë Konvetës, duke përfituar nga prania e ambasadorit zvicerian, Rama solli dhe një shembull lidhur me abuzivizmin dhe korrupsionin:

“Nuk janë njerëzit, – tha ai – por janë sistemet e ndryshme që i bëjnë zvicerianët të duken populli më i ndershëm në Europë dhe ne, shqiptarët, popullin më hajdut. Merrni nja 20 zvicerianë dhe futini ata në OSHE dhe do ta shihni se ç’do të bëjnë, kurse atje në Zvicër, atyre as nuk u shkon ndër mend të bëjnë ndonjë lidhje të paligjshme.”

Rama ka bërë humor me ambasadorin edhe në fillim të konferencës, pasi ai erdhi disa minuta me vonesë. “Ne vijmë me orën zviceriane, – tha Rama me shaka, – kurse ambasadori me orën ballkanike. Ky është një rast unikal, ky është progres,” – tha ai.

MOMENTI PËR TË BËRË BILANCIN

“Kjo nuk është konferencë e radhë, – tha Kryeministri, – por moment për të bërë bilance të rëndësishme dhe konsoliduar një instrument shumë të rëndësishëm për shoqërinë në luftën me varfërinë dhe përjashtimin social, siç janë shërbimet sociale.

Jemi të vetëdijshëm, si dhe në fushat e tjera, ku trashëgimia është tejet e rëndë, po të shikosh energjinë, Lazaratin, plagët e hapura që kemi trashëguar në organizimin e vendit dhe shoqërisë, mikrobi është i njejtë: Mikrobi i pushtetit që synon ripërtëritjen e vetvetes duke blerë kohë në kurriz të shtetit dhe shoqërisë.

Mjafton një fakt shumë i thjeshtë: Nga 27 mijë dosje të qëmtuara lidhur me aftësinë e kufizuar, 5400 kanë rezultuar dokumentacion abuziv për persona me aftësi të pakufizuara. Në fakt, 27 mijë është jashtëzakonisht shumë.

Vjet në një takim me shoqatën e PAK, u ndiem në situatë të vështirë, sepse trashëguam një borxh të akumuluar, sepse paratë e tyre ishin drejtuar gjetkë. Nga ana tjetër, këta pesona nuk e merrnin asnjëherë pagesën në kohë. Dhe në prag të vitit të ri ne nuk kishim para për t’i paguar. Por, sot ne jemi në kushte rrënjësisht të ndryshme. Kemi mbyllur plotësisht gropën prej 6.2 miliardë lekë, 62 milionë USD, vetëm me pagesat e PAK dhe jemi pa borxhe, kemi çelur buxhet pa borxhe.”

KËTË VEND E ÇMENDËN BURRAT, PO MUND TA SHPËTOJNË GRATË

“Përsa i përket kalimit të ndihmës tek grate, – tha më tej kreu i Qeverisë, – unë mbroj idenë se këtë vend e çmendën burrat e mund ta shpëtojnë gratë.
Lidhur me fëmijët jetimë, duam t’i largojmë fëmijët nga rezidencat dhe institucinet dhe të ndihmojmë familjet e të afërmëve apo kujdestare që t’i ndihmojnë. Kthimi i fëmijëve të Shtëpive të Fëmijëve pranë familjeve biologjike është një tjetër sfidë.”

Kryeministri foli edhe për Reformën Administrative – Territoriale. “Unë besoj se është riformulimi më themelor dhe i thellë që i është bërë strukturës organizative të këtij vendi në këto 20 vjet, – theksoi ai, – dhe që do të sjellë një transformim rrënjësor të shërbimit shoqëror të shtetit.
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: