TIRANË

Kryeministri Edi Rama mblodhi këtë pasdite Komitetin Kombëtar të Rindërtimit, ku tha se brenda 16 dhjetorit do të jetë gati raporti paraprak i dëmeve të tërmetit katastrofik të 26 nëntorit.

Në këtë mbledhje të dytë të Komitetit, kreu i qeverisë deklaroi se raportet post-katastrofë kërkojnë kohë, por brenda janarit 2020 do të jetë gati raporti i plotë i dëmeve për t’iu hapur rrugë donacioneve për rindërtimin e banesave të shkatërruara.

“Nuk ka një raport paraprak të dëmeve, një grup po punon. Raporti i parë paraprak synohet të paraqitet më 16 dhjetor, por edhe çfarë na u tha nga partnerët, raportet post-katastrofë kërkojnë kohë. Do ketë një raport paraprak, një raport të dytë dhe pastaj një raport të plotë besoj në janar, për t’u hapur rrugë donacioneve. Për transparencën po punojmë për një raport të posaçëm me të dhëna të detajuara për qeverinë, donacionet dhe përfituesit.

Besoj në mbledhjen e ardhshme, pas një jave, mund ta prezantojmë. Po përgatitet ligji i posaçëm për rindërtimit, që ka për qëllim të krijojë një kuadër ekskluziv për të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me rindërtimin. Një grup pune po merret me këtë non-stop dhe një draft të parë e kemi gati. Tani po bashkëpunojmë dhe me Komisionin e Ligjeve për ta çuar përpara. Aktualisht kemi 366 dosje projektesh për rindërtim”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb