NGA ERJOLA JATA*

TIRANE- Pa marr veten ende nga vizita e parë e befasishme e Kryeministrit Edi Rama në drejtorinë e Përgjithshme të doganave, paraditen e kësaj të Marte, në këtë dikaster është shfaqur sërish kreu i qeverisë i shoqëruar nga ministri i ekonomisë Arben Ahmetaj dhe Ministri i Financave Shkëlqim Cani.

Në takimin që zgjati rreth 40 minuta me drejtuesit e lartë të doganave kryeministri Edi Rama ka kërkuar përmbushjen e objektivave dhe rritjen e performancës doganore duke parë perfomancën e dobët gjatë 2015. Duket se këtë radhë synimi i kryeministrit nuk kanë qenë largimet nga detyra por një organizim më i mirë i ekipit për rritjen e rezultateve.

Kjo gjë është kuptuar edhe nga gjestet urdhëruese të shefit të qeverisë ndaj drejtoresësh së përgjithshme të doganave Pranvera Fagu. Vizita e paparalajmëruar e Ramës në fund të muajit nëntor solli një valë pezullimesh nga detyra kryesisht të drejtuesve të lartë, si pasojë e mospërmbushjes së detyrave.

Rezultatet e 11 mujorit të vitit 2015 kanë treguar se administrata doganore nuk ka arritur të mbledh të ardhurat e mjaftueshme sipas parashikimeve. Për periudhën janar-nëntor të vitit të kaluar gropa në buxhet nga të ardhurat doganore ka qenë 9.5 mln lekë. Ky mosrealizim nuk është vetëm ne raport me planin, por edhe me faktin e 2014. Konkretisht zëri i akcizës ka një mosrealizim të theksuar.

Pas emërimeve të reja në dogana kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar drejtuesit e rinj se nëse nuk do të ketë përmirësim të situatës nuk do të mungojnë ndëshkimet. Vetëm pak ditë më parë pas largimit nga detyra të zv.drejtorit të përgjithshme të doganave Zamir Shtylla këtë post e ka marrë Besmir Qibini I cili ka ardhur nga radhët e Policisë së Shtetit.

(er.nu/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: