TIRANE – Duke sjellë në vëmendje episode të jetës së profetit Muhamed, Kryeministri Edi Rama theksoi se çdo besimtar mysliman shqiptar, që justifikon masakrën ndaj gazetës “Charlie Hebdo” në Paris, me karikaturat e Profetit, fyen besimin dhe Profetin e tij. Gjatë një takimi të zhvilluar në sallën e hartave në Kryeministri, me përfaqësues të klerit dhe mediave, shefi i qeverisë tha se ka ndjekur me trishtim reagimet e shqiptarëve në rrjetet sociale, të cilët justifikojnë kasaphanën në Paris. Sipas kryeministrit, “ky është një opinion që sado në minorancë qoftë, nuk duhet nënvlerësuar në asnjë mënyrë, nëse s’duam të deformojë pak nga pak besimin, sjelljen e qoftë dhe një fëmijë të sotëm, të Shqipërisë nesër”.

Kryeministri Rama shprehu mirënjohje për 4 përfaqësuesit e klerit shqiptar, që siç tha ai, “u bënë në Paris dëshmitarë aktivë të marshit të lirisë dhe tolerancës, kundër egërsisë që kërkon të mbysë Europën”. Sipas Ramës, prania e katër përfaqësuesve të klerit shqiptar në marshim, bëri që “Shqipëria të rrezatonte dje në zemër të Europës shembullin që Europa kërkon dhe që i duhet shumë”.

Ndërsa theksoi domosdoshmërinë e një aksioni të përbashkët dhe ndërveprimi të gjerë në luftën kundër terrorizimit, kryeministri tha se në këtë kuadër qeveria ka ndërmarrë dy nisma të dobishme.

“Ta luftojmë terrorizmin, duke mos harruar të kultivojmë çdo ditë vlerat tona si europianë dhe të ruajmë vlerat tona njësoj sikur të mos kishte terroristë. Besoj se na duhet një aksion i përbashkët që kërkon ndërveprim të gjerë. Në këtë kuptim unë shoh me interes dy nisma që janë vetëm fillimi i një serie iniciativash që shpresoj do të lindin dhe kultivohen edhe nga të tjerët, komunitetet, media, shoqëria civile. Forumi rajonal i bashkëpunimit ndërfetar do të mbështetet me të gjithë forcën nga qeveria. Sot përballja me terrorizmin duhet të jetë kombëtare, por edhe lokale dhe globale. Një iniciativë modeste ka të bëjë me hapjen e kësaj godine për të mbështetur angazhimin qytetar dhe intelektual, duke vënë në dispozicion katin e parë të godinës për ata që dëshirojnë të shprehin opinionet e tyre kundër qeverisë, ose për të imponuar hapjen e një dialogu me qeverinë. Jam i bindur se do të jetë një nisme e dobishme.”- theksoi më tej Rama.

Sipas kryeministrit shqiptar, mbyllja e kufijve të Europës nuk i frikëson terroristët.

“Mbyllja e kufijve bën që Europa të kthehet në një kafaz, brenda së cilit të shqyhen myslimanët dhe kristianët. Hapja e kufijve është ajo që i tmerron terroristët dhe jo frika që provokon urrejtje dhe urrejtja që sjell përçarje”- theksoi Rama.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: