Kryeministri Edi Rama ka cituar këtë të diel aktoren e njohur dhe mjaft të dashur për publikun, Marjana Kondin, lidhur me çështjen e shumëdebatuar të Teatrit Kombëtar.


Në mesazhin e saj, aktorja Kondi tregon arsyet pse duhet një teatër i ri, duke u shprehur se përtej së kuqes, llozahve, poltronave e perdes kadife, lëngon një teatër i amortizuar e i braktisur.


Sipas saj, teatri i ri duhet për gjeneratat që do të vijnë, duke shtuar se mbështet çdo iniciativë që kërkon t’i japë kombit një teatër që kemi dashur, por pa gjymtuar shtratin e sotëm të teatrit.


Mesazhi i Ramës:
Mariana Kondi, e cila i ka dhënë publikut shumë personazhe të spikatur në skenë e në ekran, është një nga aktoret që ka mbledhur më shumë duartrokitje në sallën e Teatrit Kombëtar. Ajo ka një qëndrim të qartë në debatin për godinën e teatrit, njësoj si shumica dërrmuese e komunitetit teatror.

MARJANA KONDI:
Përtej së kuqes, llozhave, poltronave dhe perdes kadife, lëngonte një teatër i amortizuar e i braktisur nga instancat shtetërore. E kuqja e sallës ishte skuqja nga turpi i këtij shpirti që vuante. Të tillë për fatin e keq e gjej dhe sot. Kjo gjendje shton nevojën për të kërkuar një teatër të ri, të mirëmbajtur, me të gjithë elementët teknik si hapësira skenike, akustika, numri i sallave, elementët audio dhe ndriçim, kapacitet të lartë të vendeve për publikun, ambiente bashkëkohore pune për aktorët.

Dhe këtë s’e kërkoj për vete, por për gjeneratat që do vijnë. Kërkesa për një teatër të tillë (pa cënuar asnjë centimetër nga territori ekzistues). Ndaj mbështes çdo iniciativë që kërkon t’i japë kombit, qytetit, publikut, aktorëve, regjisorëve, një teatër që kemi dashur, por pa gjymtuar shtratin e sotëm të teatrit.

  • foto galeri

(d.ç./BalkanWeb)