Reporterët pa Kufij dhe Qendra Evropiane për lirinë e medias kanë dënuar sjelljen e kryeministrit Edi Rama, pas publikimit të përgjimeve nga gazetari Peter Tiede, duke e kërcënuar këtë të fundit me pasoja juridike.

“Bild” publikoi përgjime që akuzonin qeverinë se ka blerë votat në zgjedhjet e vitit 2017 me paratë e mafias. Pas, publikimit të këtyre përgjimeve kryeministri Rama njoftoi se do të padisë në Gjermani gazetarin Peter Tiede.

Në një postim në Twitter, Rama gjithashtu pohoi se avokati gjerman Matthias Prinz  do të merret me këtë çështje. “Gjykata gjermane është ajo që do të vendosë se kush ka të drejtë dhe kush jo. Unë e bëj këtë, sepse populli i Shqipërisë meriton të vërtetën, që është parathënë nga një gjykatë në një vend të respektuar”, shkruante Rama.

Rama Tiende
Rama Tiende

Kësaj deklarate, gazetari Tiede iu përgjigj me një pyetje: “Për çfarë më fajësojnë, se kam publikuar regjistrime reale?”. “Kryeministri shqiptar Edi Rama ka një kuptim të çuditshëm për demokracinë dhe të drejtat e njeriut”, u shpreh Christian Mihr, drejtor i “Reporterëve pa Kufij”.

“Një nga detyrat e medias është kontrollimi i fuqisë. Kjo është pikërisht ajo që bëri Bild dhe gjithashtu ka mbuluar në mënyrë adekuate hulumtimet e saj me burime. Këto janë themelet e një shtypi të lirë, pasi i kemi ankoruar ata si një bashkësi vlerash në Bashkimin Evropian. Një vend që vetëm do të donte të bëhej pjesë e këtij komuniteti duhet të respektojë këto vlera”, shtoi Mihr.

“Në vend që të ndërmarrin veprime ligjore kundër gazetarëve, Kryeministri Rama duhet të punojë për të përmirësuar lirinë e shtypit në vend dhe për të mos i quajtur gazetarët “kazan”, komentoi Flutura Kusari, avokate ligjore në Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias.

Përgjimet e publikuara kanë shkaktuar protesta në vend, teksa opozita bën thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama, i cili është nën presion të mëtejshëm për mbajtjen e zgjedhjeve lokale ditën e diel.

Vetëm javën e kaluar, përfaqësuesit e Reporterëve pa Kufij, Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Mediave, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, Federata Evropiane e Gazetarëve, Instituti Ndërkombëtar për Shtypin dhe Organizata e Mediave të Evropës Juglindore u kthyen nga një udhëtim katër-ditor në Shqipëri. Ata u takuan me profesionistë të medias, përfaqësues të shoqërisë civile, por edhe me anëtarë të lartë të qeverisë, përfshirë Kryeministrin Edi Rama.

Në përfundim të takimeve, u bë e qartë se situata e lirisë së shtypit në Shqipëri është përkeqësuar, politikanët fyejnë dhe shpifin për mediat; organet zyrtare duke përfshirë zyrën e Kryeministrit dhe kryebashkiakun e Tiranës, janë jo transparente dhe refuzojnë qasjen me raportuesit kritikë.

Vetëm kohët e fundit është njoftuar për rregulla të reja për mediat, teksa Shqipëria renditet e 82-ta nga 180 shtete për lirinë e shtypit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb