I ftuar në programin “Opinion” në News24, gazetari Endri Xhafo ka komentuar aktualitetin politik.

Në lidhje me vendimin e marrë ditën e djeshme nga Apeli i GJKKO për rikthimin e masës së sigurisë “Detyrim paraqitjeje” për kreun e PD Sali Berisha. Sipas tij, kryedemokrati do të zbatojë vendimin e gjykatës, pasi e ka futur vendin në një hulli procedurash.

“Masa që është gjetur është e para që ka kërkuar prokuroria. Pra ai u arrestua pasi refuzoi duke e quajtur anti-kushtetuese masën e parë, dhe u vendos nën masën “arrest në shtëpi”. Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në thelb legjitimohet si kushtetuese masa e parë. Ai nuk u lirua, pasi çështja e tij është ende në gjykatë. Berisha do të respektojë vendimin sepse e ka futur çështjen në një hulli procedurash. Nëse nuk do të gjej drejtësi tha që do ta çonte çështjen në Strasburg dhe dje e konfirmoi që e ka çuar”, tha ai.

Xhafo foli edhe në lidhje me fushatën për zgjedhjet e 2025, fushatë e cila sipas tij ka nisur prej kohësh.

Gazetari u shpreh se Rama e ka thuajse të sigurt një mandat të katërt, pavarësisht se në Shqipëri ka pasur raste që zgjedhjet janë fituar me frymë dhe jo me organizim, gjë që sipas tij PD i mungon momentalisht.

Xhafo shton se e vetmja mënyrë që mund të sjellë opozitën në pushtet, një opozitë sipas tij e fragmentarizuar, është heqja e non gratës ndaj Berishës.

“PS është shumë më e organizuar, ka ndezur motorët shumë më herët. Zgjedhjet, përveç se me organizim, mund të fitohen edhe më frymë. Si në 1992, psh kur PD nuk kishte organizimin e Partisë së Punës por kishte frymë për të sjellë ndryshim. Me ata që unë rri, më rezulton që pyesin a do të ketë ndryshim. Kur i pyet për kë do të votojnë, hezitojnë. Në gjykimin tim, PS ka shanse më të mëdha për të marrë zgjedhjet përveç perceptimit publik për skandalet.

Opozita është e fragmentarizuar, dhe e vetmja që mund t’i jepte një shtytje do të ishte heqja e non gratës ndaj Berishës nga shkurti apo marsi. Unë nuk besoj në këtë hipotezë. Kjo do t’i hiqte alibinë Alibeajt që thotë nuk jemi me ata që janë kundër Amerikës dhe euroatlantikut Basha”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb